Hapja e dosjeve, Spiropali-Alibeajt: Një nga rastet e pakta kur biem dakord, nevojitet pastrimi i politikës

schedule11:01 - 20 Shtator, 2022

schedule 11:01 - 20 Shtator, 2022

Në Komisionin e Sigurisë, paraditen e së martës ka nisur diskutimi për projektligjin mbi informacionin e klasifikuar. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke iu drejtuar ministres Elisa Spiropali kërkoi që të dinte qëndrimin e qeverisë lidhur me iniciativën që një grup i PD-së ka marrë për çështjen e hapjes së dosjeve të ish-sigurimit.

Enkelejd Alibeaj: “Në korrik, një pjesë e kolegëve të PD depozituan një amendamend me atë të të cilit synojmë të adresojmë një çështje që ka interes publik, çështja e hapjes së dosjeve. Deklasifikimi i dosjeve.

Paraqitëm amendament. Pas 32 vitesh të rënies së sistemit komunist, shoqëria shqiptare ka nevojë sot që të njohë të shkuarën e vet. Për të hequr një herë e përgjithmonë atë që është modeli i shantazhit që bëhet duke u bazuar në dosjet e ish-sigurimit dhe që aplikohet në politikë. Nuk shoh nga ana e qeverisë që ta ketë trajtuar këtë çështje. Cili është qëndrimi juaj për këtë iniciative ligjore që një grup i PD-së ka marrë?”

Ministrja Spiropali ndërsa theksoi se për propozimin e opozitës e ka dhënë opinion autoriteti i dosjeve, shtoi se ky rast është “ndër të paktët” që qeveria bie dakord me opozitën.

Elisa Spiropali:-  “Për propozimin tuaj, mesa kuptoj nga opinioni që ka dhënë Autoriteti, nuk ka asgjë të keqe, që të ketë një deklasifikim të këtyre dokumente, por duke ruajtur diskrecionin e Autoritetit që në rastet kur mund të cënohet siguria kombëtare… Janë pak çështjet për të cilat ne biem dakord, por në një çështje e tillë që synon pastrimin e politikës nga njerëz të asaj kohe që kanë qenë pjesë e strukturave të mos kenë më vend në politikën tonë.” 

Po ashtu, Alibeaj ngriti pyetje edhe rreth sulmeve kibernetike që kanë ndodhur në vend ditëve të fundit.

Enkelejd Alibeaj: “Nuk është më sekret që të dhëna sensitive të shtetit shqiptar janë në duar të pasigurta. Për shkak ndoshta të sulmeve kibernetike, të ndodhura disa herë. Ky është një problem i të gjithë shtetit shqiptar…Do doja të dija zonja ministre, çfarë ka ndodhur? Cilat kanë qenë arsyet? Cila kanë qenë masat e marra nga qeveria për të parandaluar atë që ka ndodhur? Projektligji, korrik 2017, nuk sillet asnjë masë legjislative e shtuar që të jetë në funksion të asaj që ka ndodhur. Duket që nuk ka një reflektim.”

Elisa Spiropali: “Ka një ndjeshmëri të lartë rreth sulmit kibernetik nga Irani…Ne jemi të vetëdijshëm që problemi nuk është i vogël, por edhe masat e marra për neutralizimin e sulmit dhe për të ruajtur të dhënat kanë qenë masive.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!