Hapja e dosjeve, Doda: Hap i madh, demokratët duhet ta kishin votuar

schedule20:05 - 21 Tetor, 2022

schedule 20:05 - 21 Tetor, 2022

Pas 13 orësh diskutime në Kuvend ditën e djeshme, u miratua me 94 vota pro ligji për Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Demokratët mbështetës të Sali Berishës nuk ishin të pranishëm në Kuvend në momentin e votimit, ndërsa Grupi që mbështet Alibeajn votuan pro ligjit.

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda e ftuar në studion e “Radarit Informativ”, në Abc me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se fakti që kjo nismë është ndërmarrë nga një forcë politike e majtë është e rëndësishme. Sipas saj, ky ligj duhet të ishte bërë nga demokratët.

Doda: Ne kemi çuar nismën për dekomunistizimin, bashkë me dekriminalizimin. Edhe krimet që janë bërë në atë kohë quhen vepra penale dhe nuk ke si mos e renditësh krah dekriminalizimit, por nuk u mor parasysh. Ne kemi kërkuar edhe heqjen e simboleve të komunizmit. Nga an tjetër fakti që po e bën një forcë e majtë na bën që të jemi akoma më reflektivë drejt vetes, jo sepse nuk ka pasur nisma e djathta, por sepse nuk i ka çuar në fund dhe nuk i ka kurorëzuar me sukses.

Kryeministri Rama e pohoi vetë se ligjin po e bënte për të zbuluar se kush është personi me inicialet I.M. Sipas zonjës Doda, duke qenë se ish-Presidenti Meta e ka mohuar të jetë ai personi në dosje, nuk ka asnjë problem që kësaj nisme t’i shkohej në fund.

Doda: Rama e pohoi një gjë të tillë. Të gjithë e dinin se pse ndodhte kjo. Por është bërë një hap drejt çlirimit të ndërgjegjes kombëtare. Por Meta ka thënë nuk kam qenë unë. Për çfarë duhet të shqetësohen atëherë? Le t’i shkohet deri në fund. Madje Meta duhet ta kishte kërkuar që t’i shkohej deri në fund kësaj nisme. E vërteta është liri. Kjo do sjell një faqe të re në zbulimin e krimeve të së kaluarës.

Doda e cilësoi një hap të madh votimin e ligjit dhe theksoi se askush që është futur në politikë me të djathtën nuk duhet të mendohet dy herë për ta votuar.

Doda: Ka një hapje të plotë të dosjeve. Kush do jenë kriteret se si do ruhen të dhënat le ta shikojnë sipas rregullores. Për mua është arritur një hap shumë i mirë dhe shumë i madh. Nuk duhet të mendohet dy herë një njeri i cili është futur me të djathtën në politikë që ta votojë një ligj të tillë, nga cilado anë të vijë.

Pse Berisha dhe pjesa tjetër dolën kundër?

Doda: Ka shumë kohë që kam tentuar të marr largësi nga deklaratat që bën një forcë politike. Për mua është gabim që duhet të mendohet se nuk duhet votuar një ligj i tillë. Për më tepër që të mendohet se çfarë do thotë Ilir Meta. Derisa ai thotë unë nuk kam asnjë problem, atëherë le të vazhdojë rrugën ligji.

Zonja Doda u shpreh se për sa i përket mentalitetit ka probleme edhe sot e kësaj dite.

Dosa: I kërkova zonjës Nikolla që  duhet të kërkojë dosjet për të gjithë parlamentarët dhe të gjitha institucionet që varen prej nesh. Nëse nuk i largon dot, më së paku duhet t’;i publikosh dosjen. Publiku duhet ta dijë për kë voton. nga titullari i institucionit lejohet që të kërkosh të dhëna. Hapja e dosjeve ka një feedback dhe të menjëhershëm. Le t’i lëmë kohë kohës.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!