Tiranë- Unaza e Madhe e Tiranës, një nga veprat infrastrukturore me të mëdha të kryeqytetit është hapur për qarkullimin e automjeteve. Unaza ka një gjatësi prej rreth 29 km dhe pritet të ndikojë në lehtësimin e trafikut në Tiranë.
Kryeministri dhe zv.kryeministrja kanë inspektuar përfundimin e punimeve. Ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku tha se ky projekt do të rrisë ndjeshëm vlerën e pronës duke sjellë rëndësi të madhe në aspektin ekonomik e social. Ministrja e infrastrukturës theksoi se gjatë punimeve u hasën një sërë vështirësish por u arrit që të përfundohej në kohë.
Kosto totale e këtij projekti shkon në 44.3 miliardë lek dhe janë fonde të buxhetit të shtetit. Unaza veriore, segmenti që hapet këtë të hënë është i ndarë në 7 lote. Fillon në afërsi të Shkozës, vijon te Kodra e Priftit, drejt zonës së Kinostudios. Më pas segmenti vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz.
Pjesë e projektit janë disa vepra arti. 4 kryqëzime, 2 ura mbi lumin Tirana me gjatësi 280 dhe 130 m.