Hapet tuneli më i gjatë i autostradës nënujore në Kinë

schedule03:12 - 8 Janar, 2022

schedule 03:12 - 8 Janar, 2022

Tuneli më i gjatë i autostradës nënujore në Kinë është hapur pasi u punua afërsisht 4 vjet për ndërtimin e tij. Ai ka një gjatësi prej 10.79 km dhe tuneli shtrihet nën ujërat e liqenit Taihu. Tuneli që mban emrin e liqenit ku shtrihet ndodhet në provincën Jiangsu dhe është 50 km larg nga Shangai.

Zyrtarët lokalë të Jiangsu deklaruan që projekti ka kushtuar 1.56 miliard dollarë. Ndërtimi i tunelit filloi në 9 janar të vitit 2018 raporton “CNN”. Mbi 2 milion metra kub beton u përdorën për ndërtimin e tunelit me dy drejtime dhe 6 korsi sipas agjencisë kineze të lajmeve zyrtare “Xinhua”. Ai ka një gjerësi prej 17.45 metrash dhe është me drita Led shumëngjyrëshe të dizajnuara për të parandaluar lodhjen e shoferit.

Tuneli është pjesë e autostradës Changzhou-Wuxi që është e gjatë 43.9 km dhe u hap për publikun në 30 dhjetor të 2021. Tuneli u krijua për të ulur presionin e trafikut në qytetet pranë liqenit Taihu dhe për të promovuar zhvillimin ekonomik në zonën e deltës së lumit Yangtze. Në botë deri tani janë ndërtuar disa tunele që kanë thyer rekorde për shkak të gjatësisë së tyre dhe mënyrës së ndërtimit .

Tuneli më i gjatë i një autostrade është ndërtuar në Norvegji dhe lidh qytetin Stavanger me komunën Strand. Ai është një tunel me dy korsi dhe është i gjatë 14.3 km. Në Japoni poshtë gjirit të Tokios kanë ndërtuar një tunel 9.6 km të gjatë.

Tuneli më i gjatë nënujor është ai që lidh Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ai është një tunel hekurudhor që ka një gjatësi prej 37.9 km. / abcnews.al   

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!