Hapet “thesi” te Kukësi, asist Nexhipit për rinovimet me titullarët

schedule09:23 - 8 Gusht, 2020

schedule 09:23 - 8 Gusht, 2020

Kukësi i sezonit të ardhshëm do të ketë ndryshime të shumta. Largime të konfirmuara janë ato të Shkurtajt e Abazajt, në sulm, dy lojtarë që kanë mbajtur peshën kryesore në skuadër sezonin e fundit. Tashmë verilindorët duhet të gjejnë zëvendësues për ta dhe jo vetëm.

Valon Ethemi gjithashtu është drejt largimit, por Kukwsi ka pretendime për kontratën dhe ende anësori nuk mund të nënshkruajë me Zaglebie Lubin në Poloni. Problem tjetër te nënkampionët janë edhe rinovimet, apo pakënaqësitë e Vesel Limajt, i cili rinovoi në janar dhe tani ka pretendimet e tij në lidhje me kushtet e marrëveshjes.

Te Kukësi, për të qetësuar gjërat dhe për t’i dhënë një “asist” drejtorit sportiv Nexhipi për të vijuar me bisedimet e rinovimeve, kanë njoftuar se do t’u shpërndahet një pagë së shpejti. Një sinjal edhe për lojtarët e tjerë, që janë në bisedime për rinovimet e kontratave.

Viti i fundit nuk ka qenë i mirë për Kukësin në aspektin financiar, sikurse edhe për lojtarët që ranë dakord të hiqnin dorë nga dy paga nëse nuk do të dilnin kampion. Shto edhe ndonjë pagë që ende nuk është dhënë, ka krijuar dilema të titullarët për nënshkrimin e kontratave të reja. /abcnews.al