Hapet segmenti i rehabilituar Vorë-ish Fabrika e Tullave

schedule15:25 - 10 Shtator, 2018

schedule 15:25 - 10 Shtator, 2018

Një ndër rrugët që përdorin mjetet e rënda për në Doganën e Tiranës, ajo nga Vora në ish-Fabrikën e Tullave ka përfunduar së rehabilituari. Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve bëri të ditur se ajo është e hapur për mjetet.

Hapet për qarkullimin e automjeteve segmenti rrugor nga Vora në ish-Fabrikën e Tullave. Rruga që konsiderohej problematike për shkak të gjendjes së degraduar nga fluksi mjeteve që e përdornin është rehabilituar në një gjatësi prej 1.2 kilometrash.

“Jemi në Vorë dhe duam të bëjmë me dije që projekti prej 1.2 kilometrash për rehabilitimin e plotë dhe të thellë të këtij segmenti shumë të rëndësishëm që lidh gjithë transportin e mjeteve të rënda me Doganën e Tiranës ka përfunduar 10 ditë para afatit. Kemi të bëjmë me një rehabilitim të thellë në të gjithë paketën e shtresave asfaltike, në kanalet kulluese dhe sinjalistikën horizontale e vertikale. Është një model i mirë i rehabilitimit të thellë dhe projektit të suksesshëm që kemi sëbashku me Bankën Botërore”, tha Qendro.

Vlera e investimit të kryer për rehabilitimin e këtij aksi rrugor arrin në rreth 616 mijë euro dhe punimet për të nisën gjatë muajit Korrik. Të enjten fillon puna në një tjetër segment. Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve deklaroi se bëhet fjale për rrugën që lidh Vorën me Fushë Krujën./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!