Hapet godinë e re në doganën e Hanit të Hotit

schedule10:45 - 12 Korrik, 2019

schedule 10:45 - 12 Korrik, 2019

Hapet godinë e re doganore në pikën kufitare të Hanit të HotitNë fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm Policië, Ardi Velia tha se ky investim ka kushtuar 45 mln lekë dhe është shumë i rëndësishëm sepse i paraqet një “fytyrë”  të re për qytetarët që hyjnë në Shqipëri.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në inaugurimin e godinës së Policisë Kufitare, Hani i Hotit, Shkodër

I nderuar Ministër i Brendshëm z. Lleshaj
I nderuar zoti Ambasador i Shqipërisë në Malin e Zi
Të nderuar drejtues të Policisë Kufitare dhe punonjës të kësaj pike
Të nderuar përfaqësues të medias 
Të nderuar pjesëmarrës

Ceremonia e sotme është e një rëndësie të veçantë, pasi krijimi i kushteve të përshtatshme për të punuar dhe për tu akomoduar, është një domosdoshmëri jo vetëm për Organizatën, por edhe për imazhin e saj dhe të vendit.

Pikat e Kalimit Kufitar dhe punonjësit e Policisë që shërbejnë në këto pika, janë vija ndarëse e kufirit mes dy vendeve, por janë edhe pika e parë e kontaktit me turistët, vizitorët dhe investitorët e huaj, të cilët vijnë në vendin tonë.

Në këtë kontekst, investimi në infrastrukturë, logjistikë, akomodim të punonjësve të Policisë është mëse i domosdoshëm dhe i shërben rritjes të cilësisë së shërbimit, duke krijuar impaktin e parë pozitiv tek gjithë ata që hyjnë në vendin tonë.

Sot, inaugurojmë godinën e Policisë, ku akomodohet personeli i kësaj pike, një investim prej afro 45 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, që plotëson investimin e kryer nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet programit IPA 2012 dhe kompleton infrastrukturën e Pikës së Kalimit Kufitar, Hani i Hotit.

Tashmë ky stacion i Policisë Kufitare, ka një objekt bashkëkohor, ku krahas zyrave për akomodimin e personelit, siguron edhe ambientet për shërbimin e qytetarëve, bllokun e dhomave të shoqërimit për meshkuj, femra e të mitur, zyrën e marrjes së kallëzimit /intervistimit, dhomën e mjekut, zyrën procedurale, sallën e “IT”-së, ambientet për regjimin e uniformës (meshkuj, femra), magazinat dhe ambientet ndihmëse, arkivin, sallën e mbledhjeve dhe parkingun.

Është realizuar sistemimi i jashtëm, duke u unifikuar me sistemimin e kryer nga delegacioni Evropian, si dhe ndriçimi i jashtëm, vëzhgimi me kamera, etj., duke krijuar një ambient funksional dhe estetik bashkëkohor.

Sistemi i vëzhgimit me kamera të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, do të rrisë sigurinë e objektit, gjithashtu është bërë mobilimi i objektit me pajisjet dhe orenditë e nevojshme, për kompletimin e të cilit u shpenzuan rreth 2, 6 milionë lekë.

Realizimi i këtij investimi siguron krijimin e kushteve të nevojshme akomoduese për strukturën e PKK Hani i Hotit, përmirëson standardet për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në veçanti të personave të shoqëruar, përmirëson cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe transparencën e shërbimeve policore. 

Ky është investimi i dytë i këtyre përmasave gjatë këtyre dy viteve të fundit në pikat e kalimit të Kontrollit Kufitar, pas investimit të bërë në Morinë, pa dashur të përmend me radhë pastaj, gjithë investimet e tjera në sektorë të tjerë të Policisë së Shtetit.

Këto investime tregojnë edhe njëherë vëmendjen e veçantë të Kryeministrit të vendit, për të mbështetur Policinë e Shtetit dhe të Ministrit të Brendshëm, i cili që në krye të herës ka vënë theksin tek një Polici e mirëarsimuar, e mirëtrajnuar dhe e pajisur me logjistikë dhe ambiente bashkëkohore.

Të nderuar pjesëmarrës:

Menaxhimi i integruar i kufijve, “kufij të hapur, por të sigurt”, kërkon personel shërbimi të mirëarsimuar, të trajnuar, të aftë fizikisht, të trajtuar qoftë edhe ekonomikisht, të pajisur me bazë logjistike dhe me kushte akomodimi.

Investimi në infrastrukturë solli një menaxhim më të mirë të fluksit të qytetarëve dhe mjeteve, investimi në logjistikë solli rezultate më të mira në drejtim të goditjes së kontrabandës, kalimit të paligjshëm të kufirit, parandalimit të kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta si dhe në rritjen e performancës dhe imazhit të Policisë Kufitare.

Ndaj duke përfunduar, dua të shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin për Qeverinë shqiptare për këtë investim të radhës dhe vendosmërinë e Policisë Kufitare, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë, duke ofruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët vendas dhe të huaj.

Faleminderit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!