Hapet dosje e re për kokainën e Arbër Çekajt, prokuroria do hetojë porositësit

schedule13:30 - 29 Gusht, 2019

schedule 13:30 - 29 Gusht, 2019

Dosje e re hetimore është hapur nga Prokuroria e Krimeve të rënda për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe porositësit e sasisë prej  613 kilogramëve kokainë të kapur në shkurt të 2018 në portin e Durrësit. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se në Shtator do të ketë fakte të reja mbi këtë çështje.

Prokuroria për krime të Rënda ka çelur një dosje të re hetimore lidhur me trafikun e 613 kg kokaine të kapur vitin e shkuar në Portin e Durrësit, në kontenierët me banane të kompanisë “Arbi Garden”.

Në këtë proces të ri, sipas burimeve nga organi i akuzës, do të hetohen porositësit e kokainës dhe personat që kanë ndihmuar Çekajn për ta sjell në vendin tonë sasinë rekord të kokainës.

Për zbardhjen e plotë të trafikimit të 613 kilogramë kokainë, grupi i hetimit po bashkëpunon dhe me agjencitë partnere si Gjermania e vende të tjera.

Mësohet se prokuroria ka disa emra të dyshuar, por për arsye të sekretit hetimor ata nuk bëhen të ditur. Burime të rezervuara nga organi i akuzës  thanë se mes të dyshuarve ka edhe emra të njohur të botës së krimit.

Po i njëjti burim thekson se në shtator kur të nisë procesi i gjykimit do të ketë fakte të reja, për këtë çështje.

Hetimet e reja mbi dosjen e kokainës do të zbardhin fakte, që do të ndihmojnë Prokurorinë për zbulimn e të gjithë rrjetit të trafikut.

Dosja për Arber Çekajn dhe dy të pandehurit e tjerë, punonjës të Arbi Garden i ka kaluar tashmë Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi Prokuroria mbylli hetimin, duke çuar para drejtësisë 3 të pandehur.

Ndërsa Arbër Çekaj, është arrestuar dhe ndodhet ende në Gjermani, ku po lufton përmes gjykatave që t’i shmanget ekstradimit në Shqipëri, duke u justifikuar me faktin se në vendin tonë i rrezikohet jeta.

Kërkesa për azil e pronarit të Arbi Garden nuk është shqyrtuar akoma nga gjykata e Dysseldorfit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!