Hapet dosja e Martin Camaj-t, akuzat ndaj tij hidhen poshtë me fakte

schedule19:40 - 29 Gusht, 2020

schedule 19:40 - 29 Gusht, 2020

Leontina Nika

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujtoi  95-vjetorin e lindjes të Martin Camaj,  përmes  studimeve të mirëfillta, dhe hulumtimit të veprës dhe përndjekjes, e ku nxor në pah  detyrimi i shkrimtarit, për t’u  arratisur nga vendi në 1948,  dhe pastërtia e figurës së tij e përbaltuar, përmes një studimi të  Auron  Tares.

Shpifje nga njerëz “askush” që kërkojnë të bëhen “dikushi” Kështu  e cilësoi  kryeministri Edi Rama akuzën e bërë se shkrimtari Martin Camaj ka qenë agjent i spiunazheve  ndërkombëtare.

“Varrimin e shpifjeve dhe të akuzave që Martin Camaj mori jo më nga ata që i privuan atdheun por nga ata që nuk e lanë as në botën tjetër të qetë.

Është për të qeshur dhe qarë se është e papërballueshme lehtësia në të cilën një masë e madhe njerëzish që janë askush janë të destinuar të mbeten askush, dhe kërkojnë të bëhen dikush duke guxuar të prekin aty ku gjenden dikush-ët për të cilët De Rada thoshte: Ëngjëjt e bëjnë gostinë më vete, e bëjnë veç”, tha Rama.

Ndërkohë që studiuesi, Erald Kapri, pasi përforcon me fakte, mos përfshirjen në asnjë rrjet spiunazhi të Camaj-t, kryeministrin e ka cilësuar si një përdorues të sfondit historik.

“Mund të them me bindje dhe ajo që shoh është se Martin Camaj në gjithë dokumentet që ekzistojnë nuk është aspak një agjent dhe kurrsesi nuk mund të aludohet si i tillë.

Kam përshtypjen që edhe vetë kryeministri dashje pa dashje bëhet nga ata personazhe e nxit hedhjen e baltës sepse duket se është një person që e përdor kontekstin historik, në kuadër të së sotmes.

Shpesh i përmendet  se i njihet atributi se ka sjellë eshtrat e Mit’hat Frashërit dhe më pas në parlament, duke u marrë me bishtat e lopatës atje, thotë që komunistët ishin në anën e duhur të historisë” u shpreh Kapri.

Kryetarja e autoritetit te Dosjeve  Gentiana Sulaj, pasi  rrëfen interesin për dosjen e Camaj-t, rendit edhe 3 mite të sigurimit, ku shpesh dokumenti, mund të manipulohej.

“Në dosjet e sigurimit të shtetit figura të tilla të mëdha janë fare të reduktuara, jo vetëm që mundohen ti ngushtojnë si figura por njëkohësisht pengojnë aksesin e njerëzve tek njeriu i vërtetë dhe tek vepra e tij. Nuk të vjen mirë që dëgjohet diçka e tillë.

Ish-sigurimi përbalte figurat historike më të rëndësishme, që janë pjesë e identitetit tonë kombëtar, të gjithë mendojmë të mos i hapësh dosjet është ti privosh publikut mjetet për ta kuptuar më mirë një figurë historike ose për të bashkuar më shumë shqiptarët.

Miti i tretë ka të bëjë me se sa i vërtetë është një dokument, sa i besueshëm është ai, sa autentik është. duhet parë se në shumë shërbime të tjera të vendeve jo-demokratike një dokument mund të jetë mashtrim, i manipuluar për këtë arsye një dokument duhet hetuar”.

Studiuesja Ledi Shamku, e vë theksin tek vlerat e Camaj-t si  gjuhëtar. Shamku sjell edhe këndvështrimin e Camaj-t, për epiqendrën e shqipes.

“Ku e shikon ai epiqendrën e shqipes së përbashkët. Ku e mendon ai të jetë… është shumë e vështirë të bësh telologji, të bësh përcaktime. Epiqendra e shqipes së përbashkët që doli prej ’72 ishte zona jugperëndimore, Camaj pa diçka që askush nga ne nuk e pa.

Camaj mendoi se në një përdorim të lirë të shqipes pa mure, Tirana kishte për të qenë epiqendra e shqipes së përbashkët”, tha Shamku.

Bashkëshortja Erika Camaj, përmes një letre të lexuar nga Suzan  Zinger, shpreh vlerësime për realizimin e këtij aktiviteti.

Ky aktivitet e pasqyron figurën e poliedrike e Martin Camaj, ku i rreshtohen  kontributet e qenësishme në letërsi, gjuhësi, sociolinguistikë dhe fushën e albanologjisë.

Bashkëthemelues i revistës “Shejzat” në Romë, themelues i katedrës së albanologjisë në Universitetin “Ludwig Maximilian” të Mynihut.

Ndërkohë që vepra e tij letrare përfshin vëllime poetike, romane dhe novela.

Poezia e tij e rrallë është përkthyer në italisht, anglisht dhe gjermanisht.

Për herë të parë ekspozohen edhe dokumentet arkivor të ish-sigurimit të shtetit 1944-1955.

Përkrah tyre edhe testamenti shkrimor i cili tashmë është i botuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!