Trafiku gjatë sezonit veror, hapet Bypass-i Vlorës, Balluku: Përshkohet për 20 minuta

schedule20:49 - 16 Korrik, 2021

schedule 20:49 - 16 Korrik, 2021

Në mes të sezonit veror, me qëllim lehtësimin e trafikut të pushuesve që zgjedhin jugun e vendit për të pushuar, është hapur ditën e sotme bypass-i i Vlorës. Të parët që “shkelën” këtë segment duke parë nga afër cilësinë e punimeve ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku.

Balluku theksoi se hapja është e përkohshme pasi punimet vazhdojnë ende në disa akse të saj, ndërsa sqaroi se i gjithë Bypass-i përshkohet për 20 minuta me shpejtësi normale.

“Siç e kishim premtuar jemi gati për të hapur Bypass-in e Vlorës provizorisht sepse vazhdojnë punimet. Janë marrë të gjitha masat. Në pikat që konsiderohet kritike janë marrë masat e duhura siç janë dy hyrjet e Kaninës. Janë vendosur të gjitha tabelat që tregojnë limitet e shpejtësisë që do të respektohen pa dyshim.

Kemi kërkuara nga policia forca të shtuara në të gjitha pikat ku konsiderojmë se mund të ketë aksidente të mundshme. Bypassi kontrollohet edhe me radar. Në kantiere nuk do ketë asnjë ndalesë. Puna do të vazhdojë. Ura e tretë do të jetë gati në fund të muajit shtator. Trafiku fillon nga ora 7”, u shpreh Balluku.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një lajm i shumëpritur prej vitesh.

“Lajm i shumëpritur prej vitesh. Kush niset për jug ka një mundësi ndryshe nga sa ka qenë sepse kalohet me lirshmëri të madhe dhe një fragment natyre të panjohur më parë me një udhëtim panoramik që fut në klimën e pushimit çdo pushues, vizitor dhe turist. Koha është shfrytëzuar në mënyrë shembullore. Projekti ishte problematik, problemet ishin të pafundme. Ngecjet, shpronësimet. Dhe ja ku jemi”, tha Rama. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!