Përveç zyrave të aplikimit pranë njësive bashkiake, në Tiranë po hapen zyra të reja për aplikimin për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Kryebashkiaku Veliaj tha se të gjithë qytetarët që kanë nevojë për këtë shërbim, do të gjejnë ambientet e duhura.
Një hapësirë në afërsi të Pallatit me Shigjeta, që deri para disa javësh shërbente si lloto, është transformuar totalisht, për t’u kthyer në një nga zyrat e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike për banorët e Njësive Administrative 6 dhe 7.
Erion Veliaj: Unë besoj se identiteti real i këtij qyteti është ai që jemi, ai që përfaqësojmë, familja jonë, dhe nuk janë pikat e basteve, llotot dhe bingot. Më pëlqen që me transformimin e një hapësire, që më përpara ishte e pamundur ta aksesoje, pra me lirimin e pikave të basteve, edhe bashkia mund të përballojë qira në ish-epiqendrat e vesit. Është një lajm shumë i mirë për qytetin.
Kryebashkiaku shtoi se krahas zyrave të posaçme të ALEAT-it, që po hapen në zona të ndryshme të Tiranës, funksionojnë paralelisht edhe zyrat pranë njësive administrative, ku gjithashtu qytetarët mund të aplikojnë për karta dhe pasaporta identiteti.
Erion Veliaj: Në punë 4-5 minuta mbaron i gjithë procesi për marrjen e kartës së identitetit. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, t’i japim prioritet atyre që janë të moshuar, atyre që udhëtojnë, emigrantëve, ngaqë dokumenti iu duhet jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera, ku shtyrja e afatit nuk vlen. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët është të mos humbasim kohë.
Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, vlerësoi bashkëpunimin mes pushtetit vendor, Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë ALEAT, për të krijuar kushte sa më të mira për aplikimet për dokumentet biometrike të identifikimit./abcnews.al