Dy persona në Kukës janë vënë nën hetim nga policia për fshehje të të ardhurave. Është fjala për një 38-vjeçare, banuese në Kukës dhe një 49-vjeçar lindur në Turqi dhe banues në Kosovë.
Ata kishin regjistruar biznesin e tyre si fast food por në periudha të ndryshme kohore e kanë përdorur si klinikë dentare duke ushtruar aktivitet pa licencë dhe pa paguar detyrimet tatimore.
Policia bën me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet dentare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
“Ushtronin aktivitet në një klinik dentare të palicencuar, duke shmangur detyrimet tatimore, procedohen penalisht 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Kukës proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”, shtetasit:
M. U., 38 vjeçe, banuese në Kukës.
H. U., 49 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Kosovë.
Këta shtetas e kishin regjistruar subjektin e tyre me fushë veprimtarie fast food, por në periudha të ndryshme e kanë përshtatur si klinikë dentare dhe kanë ushtruar aktivitet të palicencuar, duke shmangur detyrimet tatimore.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet dentare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /abcnews.al