Hapen 114 kuti të Beratit, Kaziaj: Kemi besim te KAS edhe pse vendimmarrja ka qenë e diskutueshme

schedule15:22 - 20 Maj, 2021

schedule 15:22 - 20 Maj, 2021

Në Komisionin e Ankimimeve dhe sanksioneve janë duke u rinumëruar aktualisht votat për 114 kuti të qarkut të Beratit. KAS vendosi për hapjen e 114 nga 277 kutive që janë gjithsej në këtë qark për të rinumëruar votat për subjektet zgjedhore duke marrë parasysh kërkesën e LSI.

Përfaqësuesi i kësaj partie Altin Kaziaj u shpreh për mikrofonin e ABC se deri më tani janë numëruar tetë kuti. Sipas tij, deri më tani, në çdo tavolinë janë lënë vota për vlerësim nga KAS të cilat do të merren në shqyrtim.

Kaziaj tha se nga materialet filmike, LSI ka konstatuar parregullsi ndërsa shtoi se duhen 77 vota për t’i marrë mandatin e pestë Partisë Socialiste.

“Nga pamjet, kemi bërë një tabelë të posaçme, na duhen 77 vota dhe kemi gjetur më shumë se aq. Ky proces duhet të konkludojë me një transparencë madhore nga KAS që vlerëson si të ishte një ZAZ në këto momente. Ne besojmë te integriteti i tyte edhe pse vendimmarrja deri më tani ka qenë e diskutueshme.”

LSI ka kërkuar rinumërim edhe në qarkun e Durrësit, proces i cili do të realizohet nëse një prej anëtarëve të KAS bie dakord. sb/abcnews.al/