Gazetari Artan Hoxha shpjegoi mbrëmjen e sotme në emisionin “As Pro as Kundër” të drejtuar nga Robert Aliaj në “ABC” kronologjinë e vrasjes së të riut nga polici. Hoxha u shpreh se gjithçka ndodhi në 3 minuta dhe përpara vrasjes ka pasur një përplasje fizike mes efektivit dhe Klodian Rashës.
“Qitja që i ka marrë jetën Klodian Rashës ka qenë një e vetme, polici ai ka bërë dy, një predhë shkoi në ajër, tjetra nga pas shpine në zemër. Janë konstatuar viktimës plagë në pjesën e pasme të kokës dhe përpara në pjesën kockore të hundës dhe ballit që nuk justifikohen me goditjen kur u rrëzua në tokë.
Ka dyshime sipas ekspertëve se mund të ketë pasur një përplasje fizike mes policit dhe viktimës. Por hetimi vazhdon. Viktima nuk ka qenë i armatosur. Gjithçka është realizuar brenda 3 minutave, kontakti pamor, ndjekja, lëvizja dhe goditja e tij.
Vetëm fakti që goditja ka ardhur pas shpine është një rrethanë tepër rënduese për efektivin. Largësia e qitjes ka qenë diku 6 metra. Kamerat e sigurisë tregojnë se ka pasur përpjekje për ta kapur” tha ai./ db/Abcnews.al