Në Bruksel është bërë hapja e kapitujve 23 dhe 24 të procesit të ekzaminimit të legjislacionit të Shqipërisë dhe Maqedonisë me atë të BE-së. Gazetarja jonë në Bruksel, Erisa Zyka, raporton se gjatë një ceremonie ku morën pjesë delegacionet e Shqiperisë dhe Maqedonisë, si edhe perfaqësuesit e Komisionit Europian, drejtori i përgjithshëm për zgjerimin, Christian Danielsson tha se hapja e kaptujve 23 dhe 24, do të kenë një impakt të rëndësishëm në përparimin e vendeve, deri në qershor të vitit të ardhshëm, në mënyrë që shtetet anëtare të mund të aprovojnë hapjen zyrtare të negociatave me dy vendet.
E pranishme në ceremoni, ministrja e drejtesise Etilda Gjonaj, ka nënvizuar reformën e drejtësisë, e aprovuar nga klasa politike shqiptare, si një reformë madhore në të gjithë rajonin dhe ngritja e institucioneve për procesin e Vettingut. Ne seancën që ka vijuar ceremoninë e hapjes, përfaqësues të ndryshëm të delegacionit shqiptar, kanë ngitur çështjet e ndjeshme të mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës kushtetuese. Më tej ata kanë nënvizuar se ngritja e institucioneve të reja që rrjedhin nga Vettingu, është një proces që do të marrë kohë.