Derbi i veriut shkon për Laçin pas katër vitesh. Kurbinasit mposhtën Kukësin me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga i zakonshmi Kyrian Nwabueze. Një penallti e dhënë nga Hamitaj pritet të hapë polemika, por gjithçka tashmë është mbyllur dhe kurbinasit janë ngjitur në vendin e katërt në klasifikim, me një pikë më shumë se Kukësi dhe Teuta që renditen poshtë.
PJESA E PARË – Ndeshje e hapur në Laç, mes vendasve dhe Kukësit. Gjithsesi në 45 minutat e para nuk pati asnjë gol. Kurbinasit pretenduan për një penallti në minutën e 12-të, pasi Nëabueze përfundoi i shtrirë pas një dueli me Obanor. Protestat e bardhezinjve shkuan kot, pasi Hamitaj ishte i vendosur për të vijuar lojën.
Kukësi lë terren dhe Laçi mundohet të rrezikojë portën e Xhikës dhe në një moment ishte Deliu që me një goditje dënimi bëri miqtë të dridheshin. Kavajasi, nga një goditje dënimi, e dërgoi topin pranë shtyllës së djathtë pingule.
Verilindorët kundërsulmuan disa herë, por nuk i zgjidhën si duhet situatat e krijuara. Laçi në fund pretendoi sërish për penallti. Teco bëri me shenjë për një prekje të topit me dore nga Kotobelli. Pjesa e parë u mbyll me një goditje këndi të rrezikshme, por vendasit nuk shënuan dot.
PJESA E DYTË – Kukësi e nisi mirë dhe ishte Rroca ai që dha sinjalin e parë. Më pas Daku në zonën e kurbinasve shmangu bukur Domgjonin, por gjuajtja e tij u devijua dhe shkoi jashtë. Edhe pse verilindorët po komandonin, Laçi arriti që një një kundërsulm të fitonte një penallti.
Gabim i arbitrit Eldorian Hamiti, i cili akordoi penallti. Teqja, ndali me trup topin dhe lezhjani mendoi se e preku me dorë. Nwabueze nga pika e bardhë u tregua i saktë dhe Laçi në minutën e 63-të e pa veten në avantazh. Katër minuta më pas ishte Teco ai i cili mund të dyfishonte, por gjuajtja e tij me të djathtën shkoi ngjitur me shtyllën pingule.
Duro hedh në fushë Mustën për t’i dhënë diçka më shumë skuadrës së tij në sulm. Obanor ishte ai që rrezikoi për Kukësin pas një goditjeje këndi, por porta e Stajila mbeti e paprekur. Teco për Laçin ishte sërish protagonist, me një roveshatë të bukur në zonë. Kukësi provoi deri në fund të realizonte, por pa sukses. 1-0 dhe Laçi mori fitoren e katërt radhazi.
Kategoria Superiore – Java 12
E diel, më 10 nëntor, ora 13:30
Stadiumi i Laçit, Laç
LAÇI-KUKËSI 1-0
Shënues: Nëabueze 63′ (pen.)
Laçi: Stajila, Fagaj, Ignjatovic, Domgjoni, Turkaj, Shehu, Deliu, Lushkja, Teco, Xhixha (Berisha 88′), Nwabueze. Trajner: Armando Cungu
Kukësi: Xhika, Maliki, Teqja, Obanor, Kotobelli, Lulaj, Ethemi, Rroca, Kitanovski (Musta 65′), Gavazaj, Daku. Trajner: Shpëtim Duro
Gjyqtarë: Eldorian Hamiti, Ridigers Çokaj, Erind Burgu, Renato Malaj; Gjyqtarë linje: Juxhin Xhaja, Klajdi Kola
Kartonë të verdhë: Lushkja 54′, Fangaj 65′, Domgjoni / Kotobelli 63′, Maliki 77′, Xhika 83′
/abcnews.al