Hamas godet Izraelin, eksperti: Marrëdhëniet me vendet arabe s’do jenë më normale, Irani përfiton më shumë nga kjo luftë

schedule17:31 - 9 Tetor, 2023

schedule 17:31 - 9 Tetor, 2023

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledjon Krisafi thotë se luftimet mes Izraelit dhe Hamasit, do të bëjnë që marrëdhëniet e shtetit izraelit me vendet arabe, të mos jenë më normale.

Në një intervistë për ABC News, Krisafi u shpreh se ky është efekti i parë që Hamasi arriti me bombardimet në Izrael.

Sipas Krisafit, Irani përfiton më shumë nga lufta Izrael-Hamas.

“Qëllimi i parë i Hamasit është të vendosë veten si organizata kryesore në lëvizjen palestineze. Pra, kjo është edhe një luftë e brendshme. Ka synim që në të ardhmen të ketë kontroll, siç ka mbi Gazën, të ketë edhe në Bregun Perëndimor. E dyta, ka disa vite, që kur ishte Donald Trump presidenti i SHBA, ka filluar një proces normalizimi me Izraelin dhe vendet arabe. Sa më normale të jenë marrëdhëniet e Izraelit me vendet arabe, aq më e keqe, aq më e vështirë është gjendja e palestinezëve, aq më në sfond mbetet çështja e palestinezëve. Ajo që bëri Hamasi të shtunën, ishte një lloj, metaforikisht, ngritje zëri. Vendosi veten në gjeopolitikën e rajonit, duke thënë që gjithë ky normalizim i marrëdhënieve me vendet arabe, është e gabuar. Duke qenë se reagimi i Izraelit pritet të jetë i ashpër dhe i përgjakshëm, do të thotë që në të gjitha vendet arabe, do të kemi një rritje të ndjenjës izraelite.

Gjithë ky proces normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe do të ndryshojë. Ky është efekti i parë që ka arritur Hamasi. Një arsye tjetër ka lidhje me Iranin. Irani, ka synimin të jetë një shtet hegjemon në Lindjen e Mesme. Izraeli është kundërshtari numër një i Iranit në Lindjen e Mesme. Sa më shumë probleme të ketë Izraeli, aq më shumë në interes të Iranit është”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!