Hallet e futbollit, Shyti: Duhet siguri financiare, biznesi nuk “joshet” dot

schedule09:09 - 25 Qershor, 2020

schedule 09:09 - 25 Qershor, 2020

Klubi në të cilin ai është drejtues po ecën mirë. Teuta është pranë zonës së Europës, nga kupa dhe nga kampionati, por drejtori i saj sportiv, Artan Shyti, është i shqetësuar nga gjendja e Superligës për shkak të krizës së koronavirusit.

Ne shohim atë që luhet në fushë, ndërsa është më e rëndë ajo që ndodh e që nuk duket. Gjithsesi, në intervistën për Abc News, Shyti thotë se pandemia nuk e ka dëmtuar ligën shqiptare direkt në të ardhurat e saj.

“Në futbollin shqiptar, kjo situatë në planin ekonomik është ndjerë më pak. Të ardhurat që sigurohen nga prezenca e tifozëve në stadiume janë të ulëta, në raport me shpenzimet. E drejta televizive nuk është prekur”, tha fillimisht Shyti.

Sidoqoftë, gjendja është e rëndë sepse janë prekur të ardhurat e atyre që financojnë. “Sponsorët e kanë ndjerë shumë. Bashkë-presidenti i Teutës është një biznesmen në fushën e kafes dhe dihet që ky produkt ka ndjerë goditje shumë të madhe. Ideja është që të paktën këtyre njerëzve, shpenzimet në futboll t’u njihen shumë më fuqishëm se më përpara”, shtoi drejtori i Teutës, në intervistën për gazetarin Bledar Kuka.

Për të kuptuar realitetin, Shyti tregon raportin mes fitimeve që realizon futbolli dhe shpenzimeve të presidentëve e donatorëve. “Superliga nuk prodhon aq sa harxhon. Kjo do të thotë që përfitimet janë në 1/5 ose deri në 1/7 e asaj që harxhohet.

Ky deficit vit pas viti krijon probleme. Kjo ndikon edhe në planin teknik, pasi një klub që nuk paguan rrogat i demoralizon lojtarët. Është njëfarë trukimi, në kuptimin jo kriminal të fjalës. Ne kemi disa ekipe që janë seriozë në pagesa, por ka edhe ekipe ku ka kontestime, ka greva”.

Shyti nuk harron të bëjë presion ndaj qeverisë për ligjin e sponsorizimit. “Sporti nuk është interesant për biznesin, sporti nuk është një treg. Për ta bërë një treg duhet një shtysë. E para që duhet bërë është që të krijohet një siguri financiare, që të mos i detyrojë klubet dhe faktorët e tjerë ekstra-sportivë që të ndërhyjnë aty për të siguruar aty të ardhura jo të ndershme.

Ajo që kërkohej, siç e ka Kosova, që lekët që do t’i merrte shteti nga biznesi të investohen, nuk u bë. Për sa kohë nuk bëhet, ne nuk kemi për të zgjidhur ndonjë gjë me sponsorizimet në sport”, përfundon Artan Shyti, drejtori sportiv i Teutës. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!