Zv. trajneri i Kukësit, Rrahman Hallaçi, ka folur për faqen zyrtare të klubit në prag të sfidës me Apoloninë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Hallaçi tha se Kupa është objektiv i dytë i Kukësit, pasi nuk janë dorëzuar ende sa i takon titullit kampion në Superiore.
“Gjendja fizike e skuadrës deri në këto momente është e mirë. Mendoj se duhet të vazhdojmë me këto ritme, si në stërvitje, ashtu dhe te regjimi i futbollistëve. Kuptohet, kemi qenë të shkëputur për një kohë shumë të gjatë, por kemi bërë dhe një mini-fazë përgatitore. Mendoj se gjendja fizike do të jetë shumë e mirë deri në përfundim të kampionatit.
Deri në këto momente, nuk kemi pasur probleme dhe çdo gjë është bërë me maksimumin e mundshëm. Kemi ndeshjen e Kupës, që është objektiv për ne, kuptohet. Kupa e Shqipërisë është objektivi i dytë i yni, objektivi i parë është kampionati. Kemi një distancë të shkurtër me Tiranën dhe ne nuk do të dorëzohemi, por do të luftojmë deri në fund.
Nesër luajmë kundër Fierit, është një skuadër që duhet vlerësuar, pasi historia ka treguar se skuadrat që vijnë nga një Kategori më poshtë, të shfaqin probleme. Duam ta sigurojmë që në ndeshjen e parë kualifikimin. Kemi objektivat tona, si në Kupë, ashtu dhe në kampionat. Do t’iu japim mundësinë dhe disa futbollistëve të rinj. Mendoj se çdo gjë do të shkojë në rrugën e duhur”, u shpreh Hallaçi./abcnews.al