Kukësi iu gëzua fitores së parë në kampionat dhe e arriti kundër një ekipi si Laçi, ndërtuar gjithashtu për të luftuar për trofe. Rraman Hallaçi, trajneri që po zëvendëson Skënder Gegën, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha:
“Nuk do të bëjmë festë, ne kemi investuar. Nuk mund të lejojmë të jemi në fund. Ishte një fitore e mirë, prodhuam futboll. Luajtëm si deshëm dhe e mbrojtëm golin. Normal kemi punë. Në mbrojtje kishim të rinj që bënë mirë. Po fitojmë edhe lojtarë, por nuk dua të përmend emra”.
“Është e vërtetë që kemi probleme fizike. Disa lojtarë nuk kanë pasur minuta para se të vinin. Me pak durim do rritemi. Na duhet pak sforco të dalim nga kjo situatë. Kemi cilësi, por nuk jemi në maksimumin tonë. Nga dita në ditë jemi në rritje”.
“I kishim thënë skuadrës të sakrifikonim për të fituar. Nuk ka ekipe të lehta, çdo ekip ka pretendime. Duhet edhe pak durim sa të shkojmë në maksimum. Gegës i urojmë shërim të shpejtë dhe kjo fitore shkon për të. Përgëzoj gjithë skuadrën për atë që dha. Kemi bërë merkato cilësore, por disa lojtarë nuk kanë gjendjen e duhur. Duhet pak kohë. Pamë edhe Ibraimin, që është kapiteni. Ai do jetë lideri ynë”. /abcnews.al