“Nuk mendojmë për hakmarrje, ata janë të parët dhe ne të shtatët. Fokusi janë pikët, nuk ka asnjë lloj hakmarrje. Synojmë ët fitojmë dhe të ngjitemi aty ku duhet”, kështu u shpreh Grent Halili në mbyllje të konferencës për shtyp para ndeshjes me Vllazninë, që zhvillohet nesër prej orës 13:45 në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Pyetjet për aspektin personal nuk mungojnë, sidomos pas golit që i shënoi në fundjavë Teutës: “Nuk them se po paraqitem më mirë, pro dua të theksoj se vij pas një kohe të gjatë pa luajtur. Kur një lojtari i mungojnë minutat, sigurisht edhe përformanca është e dobët.
Fatmirësisht kam marrë minutat e duhura këtë sezon dhe besoj se po kthehem si në fillim të sezonit të shkuar. Vjet pas paraqitjeve të mira vendosën të mos luaja më. Këtë vit kam ritmin e duhur dhe kjo më jep besim të vazhdoj përpara”.
“Vllaznia? Jo më kot quhet klasikja e futbollit shqiptar. Çdo ekip ka objektivat e veta. Meritojnë respekt për atë që kanë bërë deri më sot. si çdo kundërshtar tjetër. Ne jemi Tirona dhe futemi në fushë vetëm për tre pikët. Çdo ndeshje ka specifikën e vet, por ne do tentojmë fitoren për ta mbyllur vitin në mënyrën e duhur”.
“Mungesa e rezultateve? Çdo njeri e krijon fatin e tij vet. Ne nuk e kemi krijuar siç duhet. Kemi kaluar disa herë në epërsi, por nuk e kemi ruajtur. Ose në ndeshje të tjera që kemi krijuar raste dhe nuk kemi shënuar. Mendoj se është vetëm një ngërç. Me kalimin e kohës, duke kuptuar edhe idetë e trajnerit, do arrijmë të shënojmë edhe më tepër”.
“Kthesa si vjet me kryesuesit? Ajo ndeshje derbi vjet do të mbahet mend gjatë, ajo është pika jonë e kthesës. Ajo nuk kishte diçka specifike, thjesht u futëm në lojë, siç bëmë edhe më pas me besim tjetër. Ishim 18 pikë mbrapa, sot jemi 10, dhe dëgjoj që Tirana e ka humbur shpresën për titull. Kampionati është i gjatë, ka edhe tre faza. Akoma nuk ka mbaruar asgjë dhe këtë dua ta theksoj. Mbase do jetë ndeshja që do kthejë edhe rezultatet për ne”.
“Gol Vllaznisë? Goli është ndjesi e mirë dhe të jep besim. Me Teutën më vjen keq që nuk vlejti tre pikë. Shpresoj të shënoj dhe t’i jap tre pikët ekipit. E rëndësishme është të fitojmë dhe t’u japim tifozëve një dhuratë për fundvit”.
“Si e përballoni kur ju gjykohet çdo pasim, apo jeni mësuar? Pa dashur t’ju ofendoj. Më janë bërë shumë pyetje të tilla, si jo paragjykimi i tifozëve, dhe jam shumë i lodhur t’u përgjigjem këtyre pyetje. Çdo njeri gabon, nuk besoj se ka diçka të keqe. Një gabim i imi gjykohet ndryshe nga ai i shokëve kur gabon. Kjo gjë më pëlqen, më pëlqen presioni, të jem i paragjykuar. Nuk më bën më përshtypje. Thjesht shoh lojën dhe mendoj t’ia shpërblej ekipit dhe çunave, të cilët më mbështesin”. /abcnews.al