Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit David Hale ndodhej për vizitë zyrtare në Prishtinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë një qëndrim rreth rezultatit të dialogut Kosovë-Serbi, por këmbëngulin për njohje të ndërsjellët.
Me synim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi ndihmës-sekretari amerikan i shtetit David Hale ka takuar sot në Prishtinë krerët e institucioneve të Kosovës.
Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave. Megjithatë ndihmës-sekretari amerikan ka zgjedhur të flasë vetëm për tre gazetarë të mediave kosovare të cilëve u ka thënë se përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme.
Sipas tyre Hale ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Washingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Në takim pala kosovare nuk është pajtuar me kushtëzimet e Beogradit. Përmes një statusi në Facebook presidenti Hashim Thaçi ka shkruar se janë të gatshëm për vazhdimin e dialogut.
Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun ka shkruar Thaçi në Facebook.
Kryeministri Haradinaj ka ftuar Serbinë që të ulet në tavolinën e diskutimeve.
“Në takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme më shumë se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit. E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Pas takimit me njeriun e tretë të Departamentit Amerikan të Shtetit menjëherë një takim tjetër është zhvilluar në një nga restorante e Prishtinës ndërmjet presidentit Hashim Thaci dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.
Asnjëri nuk e kanë komentuar takimin me ndihmës-sekretarin amerikan./abcnews.al