“Hakmarrja” e Izraelit ndaj Iranit/ Çika: Ishte e pritshme. Teherani e ka shpallur armik Tel Avivin

schedule17:37 - 19 Prill, 2024

schedule 17:37 - 19 Prill, 2024

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Emilio Çika thotë se kundërpërgjigja e Izraelit ndaj Iranit, ishte e pritshme.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Çika u shpreh se Irani nuk ka deklaruar se do të kundërpërgjigjet, pas sulmeve të Izraelit në territorin iranian këtë të premte, çka sipas tij, tregon se nuk do të kemi përshkallëzim.

Çika shtoi se pas revolucionit islamik në 1979 në Iran, marrëdhëniet e të dyja vendeve u përkeqësuan, madje në kushtetutën e Iranit, Izraeli është përcaktuar si shtet armik.

“Konflikti ndërmet dy vendeve është një konfikt i hershëm. Edhe pse me krijimin e shtetit të Izraelit, që në vitin 1948, Irani ishte një nga shtetet më aleate, ishte ndër të paktat shtete të rajonit që njohën Izraelin. Deri në vitin 1979, me revolucionin islamik në Iran, këto shtete ishin aleate me njëri-tjetrin. Nga 1979 e më tej, kemi përkeqësim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në kushtetutën e Iranit, përcaktohet shprehimisht Izraeli është shtet armik në rajon, madje kërcënohet ekzistenca territoriale e tij. Konflikti në fjalë është rindezur pas sulmit ushtarak të Izraelit në Rripin e Gazës. Irani, qartazi ka mbajtur një pozicion mbështetës kundrejt të gjithë situatës në favor të Rripit të Gazës, Palestinës, Hamasit.

Kemi pasur edhe sulmin e Iranit brenda territorit të Izraelit, para një jave, ka pasur një sulm të jashtëzakonshëm me dronë dhe raketa balistike. Kjo erdhi pas sulmit të Izraelit, edhe pse nuk e pranoi që goditi konsullatën e Iranit në Siri. Flasim si një kundërpërgjigje të Iranit. Sulmi ndaj një ambasade ose konsullate vlerësohet si sulm për shtetin që përfaqëson. Sulmi u vlerësua nga arena ndërkombëtare, si një sulm i paralajmëruar. Sulmi nuk kishte rezultate me dëme brenda territorit të Izraelit. Ajo që është e rëndësishme, është që kabineti i luftës në Izrael, mori vendim për kundërpërgjigje. Vendimi ishte i pritshëm. Duhet parë edhe kundërpërgjigja e ditës së sotme.

Besoj se nuk do të kemi përshkallëzim të mëtejshëm, të paktën në aspektin luftarak. Do kemi një situatë ku nuk do të kemi përgjigje ndërmjet vendeve nga ana ushtarake. Ky sulm është marrë nga Irani si një kundërpërgjigje dhe nuk ka deklaruar mundësinë për një kundërpërgjigje. Të paktën, nga ana e Iranit, nuk kemi një deklaratë të tillë. Kjo më bën të besoj se nuk do të ketë një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!