Hakerët synojnë të zbulojnë fytyrën e regjimit iranian

schedule13:09 - 17 Nëntor, 2021

schedule 13:09 - 17 Nëntor, 2021

Një grup hakerësh, që e quan veten, Drejtësia e Aliut (Edalat-e Ali), ka tronditur udhëheqësinë iraniane në muajt e fundit, duke publikuar video dhe dokumente konfidenciale që duket se tregojnë keqtrajtimin sistematik të të burgosurve në burgun më famëkeq të Iranit.

Deri më tani ky grup ka bërë të ditura pak detaje për synimet e veta.

Në një intervistë ekskluzive për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, ky grup ka thënë për herë të parë se është i përbërë nga iranianë që jetojnë dhe punojnë jashtë Iranit, dhe mëtojnë të shpërfaqin ato që i konsiderojnë si abuzime me të drejta të njeriut në këtë shtet.

Grupi po ashtu ka qëllim të lirojë të burgosurit politikë.

Praktikat e abuzimit në burgun Evin të Teheranit, të paraqitura nga Drejtësia e Aliut, kanë nxitur zemërim te grupet për të drejta të njeriut, jashtë Iranit.

Veprimet e këtij grupi kanë rezultuar edhe me pranim të së vërtetës për një mori videosh si dhe një kërkim-falje nga autoritetet iraniane.

Por këto materiale kanë nxitur edhe spekulimet e vëzhguesve iranianë se grupi i hakerëve mund të jetë duke punuar nga jashtë dhe në emër të ndonjë shteti të paidentifikuar.

Grupi, Drejtësia e Aliut, ka hedhur poshtë këtë pretendim në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë një javë më parë.

Grupi u është përgjigjur pyetjeve me shkrim të Radios Evropa e Lirë, duke përdorur një aplikacion të sigurt për mesazhe.

Ky grup ka përdorur këtë platformë për të shpërndarë video dhe dokumente me Radion Evropa e Lirë (REL) në muajt e fundit.

Ndonëse disa zyrtarë të lartë iranianë kanë konfirmuar vërtetësinë e materialeve të publikuara nga ky grup, ende nuk ka pasur reagim publik për dokumentet konfidenciale që janë ndarë me REL-in këtë muaj.

“Qëllimi ynë është që të ekspozojmë aktivitete jonjerëzore të regjimit kundër popullit iranian dhe të mos lejojmë fshehjen e regjimit”, ka thënë grupi në komentet me shkrim.

“Ne duam të lirojmë të burgosurit politikë”.

Pamjet që ka siguruar grupi, përmes hakimit të kamerave brenda burgut Evin, tregojnë për abuzime të ndryshme, përfshirë stërngarkesë në burgje dhe kushte tjera jonjerëzore, si dhe sulme ndaj të burgosurve nga gardianët dhe të burgosur tjerë.

Pamjet – që kanë shpërfaqur edhe një të burgosur me nevoja të veçanta duke u tërhequr zvarrë nëpër shkallë dhe pamje brenda dhomës së kontrollit në burg – kanë rezultuar me kërkim-falje nga udhëheqësi i sistemit penal të Iranit, si dhe me hetime për rastin.

Udhëheqësi i Organizatës së Burgjeve Iraniane, Mohammad Mehdi Hajmohammadi, ka shkruar në Twitter më 24 gusht se ai personalisht ka pranuar përgjegjësinë për këtë “sjellje të papranueshme” të parë në video dhe se është i përkushtuar për të punuar në parandalimin e “këtyre ngjarjeve tragjike”.

Një zyrtar i lartë i gjyqësorit në Iran, Gholamhossein Mohseni Ejei, ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe në mediat shtetërore, të lidhura me politikanë të linjës së ashpër, është thënë se rezultatet e hetimit do të çojnë në ndëshkime të fajtorëve.

Dokumentet konfidenciale që ka publikuar grupi Drejtësia e Aliut kanë treguar sesi autoritetet e burgut Evin kanë marrë masa të ashpra për të thyer grevën e disa të burgosurve të mirënjohur, duke përfshirë ndalimin e vizitave dhe bllokim të qasjes në biseda telefonike.

“Këto dokumente konfidenciale nga Burgu Evin janë të dhëna përfundimtare për shkelje të të drejtave të njeriut dhe nuk mund të injorohen”, ka thënë grupi për Radion Evropa e Lirë.

“Ato janë dëshmi e thirrjes së popullit iranian për vëmendjen ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të regjimit dhe [presidentit] Ebrahim Raisi, “një ultrakonservator që ka qenë edhe në krye të gjyqësorit, ka thënë mes tjerash grupi.

I pyetur për pranimin e përgjegjësisë nga zyrtari Hajmohammadi, grupi i hakerëve e ka konsideruar kërkim-faljen e tij si “lot krokodili”.

“Suksesi dhe vendosmëria jonë për të ekspozuar abuzimin nëpër burgje para botës ka qenë e atillë që regjimit nuk i ka dhënë mundësi për të mohuar, fshehur apo gënjyer”, ka thënë grupi, duke shtuar se Hajmohammadi nuk ka pasur mundësi tjetër përveç se të kërkojë falje.

“A e kanë ndryshuar qasjen ndaj të burgosurve një ditë pas kërkim-faljes? ka pyetur grupi.

“A ka liruar ai [Hajmohammadi] të burgosurit politikë që janë duke u mbajtur aty pa proces të drejtë gjyqësor?”.

Arsyeja e vërtetë e kërkim-faljes, sipas grupit, ka qenë sepse autoritetet “kanë dështuar që të sigurojnë dhe të mbrojnë sistemet kompjuterike ndaj sulmeve kibernetike”.

Grupi ka hedhur poshtë sugjerimet se mund të jetë duke funksionuar në kuadër të ndonjë operacioni të huaj, nën maskën iraniane.

“Ne, si grup iranian, jemi të vendosur për të publikuar fytyrën e vërtetë të regjimit në çfarëdo mënyre, duke përdorur të gjitha kapacitetet, përfshirë ato të aleatëve”, ka thënë grupi.

“Ne, njerëzit e Iranit, duhet të mendojmë për veten tonë dhe të mos i japim askujt mundësinë për të vendosur për ne apo për të ardhmen tonë”.

Grupi, Drejtësia e Aliut ka sqaruar se videot që i ka ndarë me Radion Evropa e Lirë dhe disa media tjera, “janë siguruar duke hakuar sisteme kompjuterike në Burgun Evin” dhe se ata nuk do të kishin pasur sukses pa bashkëpunuar me “bashkatdhetarët tanë shumë të guximshëm që kanë rrezikuar jetët e tyre”./REL