Hajdari: Nuk duhet t’i zgjasnit dorën opozitës së vjetër

schedule11:06 - 3 Prill, 2019

schedule 11:06 - 3 Prill, 2019

Ndryshimet në kodin zgjedhor dhe miratimi i tyre kanë shkaktuar debat në seancën e sotme parlamentare. Deputetja Rudina Hajdari e ka cilësuar të pasinqertë ftesën për bashkëpunim që socialistët i kanë drejtuar deputetëve të dorëhequr.

“Zoti Gjiknuri pa pikë turpi i shtriu dorën opozitës jashtë që të marrin pjesë në komisionet e ngritura të reformës zgjedhore. Ku është dëgjuar që një ish-deputet që është një qytetar të ketë votë dhe të drejtën e tij të vetos. Kjo ofertë është një mënyrë për të pasur një marrëveshje nën tavolinë me PD-në dapo LSI-në. Kjo zotëri nuk ka për të ndodhur”, tha Hajdari në fjalën e saj.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është përpjekur ta sqarojë se ky bashkëpunim është i detyrueshëm sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

“Pa dashur të bëj replikë me znj.Hajdari dua të them se të gjitha këto janë çështje që duhen ndarë. Çështja e Kodit Zgjedhor ka të bëjë me infrastrukturën e administrimit të procesit zgjedhor. Nevoja për të punuar së bashku për Kodin Zgjedhor ka buruar nga rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kemi tre raporte, raportin e zgjedhjeve të 2013-ës, 2015-ës, 2017-ës që ende nuk kemi mundur të transpozojmë në amendamentet e Kodit Zgjedhor të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore ka një mandat: transpozimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në amendamente. Për sa i përket partive të vogla politike, çdo parti e cila financohet nga KQZ përpara zgjedhjeve dhe nuk përmbush detyrimin duhet ti kthejë paratë mbrapsht. Ja kujtoj Partisë Demokratike se duhet ti paguajë KQZ-së 120 milionë lekë, sepse nuk e ka respektuar kuotën gjinore në asnjë prej qarqeve të vendit. 50 veta ka vënë kandidatë në listën e Tiranës dhe nuk i doli koha për të plotësuar kuotën gjinore”, tha Balla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!