Për të folur lidhur me zhvillimet e fundit për marrëveshjen e arritur mes palëve për Reformën në Drejtësi, në Abc News përballë gazetares Mirela Milori ishte bashkë-kryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari.
Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, deputeti Myslym Murrizi në një komunikim me mediat tha, ndër të tjera se ka kërkuar zëvendësimin e Rudina Hajdarit. Për komentet e Murrizit, Rudina Hajdari u shpreh gjatë bisedës në studio se “këto janë deklarata që nuk kanë shumë rëndësi për momentin.”
Sipas Hajdarit, e rëndësishme tani është “beteja jonë që është hapja e listave.”
Hajdari u shpreh: “Këto janë deklarata që nuk kanë shumë rëndësi për momentin. Ajo që ka rëndësi është beteja jonë, që është hapja e listave. Sa i përket individëve, hap pas hapi disa njerëz…unë jam mësuar me këtë gjë. Mundohem të mos jem pjesë e asnjë loje. Ambienti është i vështirtë por duhet të ecim përpara. Sidomos me ndryshimin e sistemi zgjedhor.”
Nga ana tjetër, sa i përket listës me 29 firma për ndryshimin e Neneve 64 dhe 68 të Kushtetutës, Hajdari deklaroi se firma e saj nuk ndodhej në atë listë pasi ende nuk ka pasur mundësinë që ta shohë në mënyrë të hollësishme.
“Nuk e kam parë në mënyrë të hollësishme, kam pasur angazhim të tepërt sot. Më lini pak kohë që ta shoh se çfarë është kërkuar, ” u shpreh ajo.
Sa i përket marrëveshjes së arritur mes palëve, deputetja u shpreh se ajo duhet të mbesë por me disa “shtesa”.
E pyetur nëse do ta votojë marrëveshjen në Parlament, Hajdari theksoi se kështu siç është marrëveshja nuk do ta marrë votën e saj. Megjithatë faktin që ajo e ka firmosur këtë të fundit e argumenton duke thënë firma e saj tregon se shkon përtej interesave të saj personale.
Hajdari: “Kështu siç është nuk e votoj në parlament, e kam firmosur sepse firma ime në atë letër, vetëm tregon që unë shkoj përtej interesave të mia personale. Nuk dua që Shqipëria të ketë asnjë lloj pengese në integrimin në Evropë. Është marrëveshje që ka disa elemente pozitive, si identifikimi biometrik, edhe pse një element që mund të jetë i parealuzueshëm. Palët arritën shumë pak gjëra. Nuk bëmë as depolitizimin e administratës zgjedhore.”
Po ashtu, Hajdari ka treguar se gjatë orëve të shumta të kaluara me ndërkombëtarët nuk ka munguar as ngritja e zërit nga të gjitha palët.
Ajo më pas tregon se, qarkulluan zëra që nëse nuk arrihej marrëveshja mund të niste një luftë civile.
Hajdari: “Ka pasur tone të larta nga të gjitha palët, edhe nga ambasadorët. Sepse marrëveshja ishte e rëndësishme. Nëse nuk arrinim të bënim këtë marrëveshje mund të kishte luftë civile, shtatori do vinte, gjërat mund të radikalzioheshin. U diskutua që Maqedonia e Veriut të merrte statusin, ne te mbeteshim të izoluar…Lufta Civile ishte gjë që qarkullonte në ajër, nuk u tha drejtpërdrejtë. Protestat mund të japin efekte shumë negative ndaj vendit tonë. Prandaj unë jam firmëtare në atë marrëveshje.”
“Kam parë shumë gjëra në atë tryeze, kam parë individë që të dalin jashtë karakterit të tyre. Por e shikoja që e kishin të pamundur që të flisnin në nivelin njerëzor. Të kishin një sens kompromisi mes tyre,” u shpreh më tej Hajdari.
Sa i përket zgjedhjeve që do të vijnë, Hajdari nuk tha qartë nëse do të ishte me PD apo parti të re, por theksoi se është e sigurt se në zgjedhje do të jetë. /abcnews.al/