Hahn: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë

schedule09:29 - 26 Qershor, 2018

schedule 09:29 - 26 Qershor, 2018

Komisioneri Europian për zgjerimin, Johannes Hahn, u bën thirrje ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, të mbledhur sot në Luksemburg, të japin një sinjal pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Këto dy vende, sipas zyrtarit të lartë të Brukselit, i kanë plotësuar kushtet.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, i bëri apel vendeve anëtare të BE t’i japin dritën e gjelbërt fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë duke theksuar rëndësinë e dhënies së “një sinjali pozitiv” për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe shpresoj që ky është më në fund rasti se sa e rëndësishme është dhënia e një sinjali pozitiv në rajon. Kemi arritur shumë dhe nëse shihni arritjet në rajon edhe vetëm në muajt e kaluar, të gjitha janë rezultat i perspektivës europiane. Nëse kjo nuk shihet, kuptohet dhe përgjigjet në mënyrë adekuate, nuk do të mund ta kuptoja”. 

Si arritje kryesore për Maqedoninë, Hahn veҫoi nënshkrimin, në fillim të këtij muaji, të  marrëveshjes me Greqinë për emrin, duke përfunduar kështu një mosmarrëveshje 27-vjeçare mes dy vendeve, për të cilën Maqedonia “duhet të shpërblehet” me hapjen e negociatave. Ndërsa për Shqipërinë, arritja kryesore është reforma në drejtësi dhe zbatimi i procesit të Vettingut.

Po çfarë mund të ndodhë nëse negociatat nuk hapen?

Komisioneri Hahn paralajmëroi Këshillin Europian se vendimi për të mos hapur negociatat e anëtarësimit do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm dhe të menjëhershëm në stabilitetin e rajonit.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë shpresë që në takimin e sotëm në Luksemburg, ministrat e Jashtëm të BE do të bien dakort për rëndësinë e dhënies së sinjalit pozitiv dhe të hapin rrugën për miratimin nga Këshilli Europian në Samitin e kësaj fundjave.

Por kjo dakordësi nuk duket e lehtë për t’u arritur. Franca dhe Hollanda kërkojnë më shumë reforma për të luftuar  krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe mund të kërkojnë fillimin e bisedimeve me kushte për të dyja vendet. Përveç kësaj, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, kërkon më parë reformimin e BE dhe më pas zgjerimin e Unionit, ide e cila nuk ka gjetur mbështetje nga Gjermania dhe vende të tjera të BE./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!