Hahn kundër djegies së mandateve nga opozita, mbështet protestat

schedule18:48 - 27 Shkurt, 2019

schedule 18:48 - 27 Shkurt, 2019

Zëdhënësi i politikave për Evropën në grupin parlamentar CDU / CSU në Bundestagun gjerman Florian Hahn mbështet protestat e organizuara nga opozita në Shqipëri, por shprehet kundër djegies së mandateve nga deputetët e saj. Në një intervistë për Deutsche Welle Hahn deklaron:

“Nuk kam asgjë kundër protestave. Por kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.”

Situata e krijuar në Shqipëri konsiderohet e vështirë nga Florian Hahn, i cili i bën thirrje deputetëve opozitare në listë pritje të plotësojnë vendet bosh në parlament. Ndërsa zgjedhjet e reja nuk konsiderohen zgjidhje prej tij.

“Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Ta zëmë se do të kishim një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së?”

Hahn vlerëson pozitivisht procesin e Vettingut ndërkohë që ashtu si edhe në qëndrimin e pak ditëve më parë thotë se perspektiva evropiane në vendin tonë është vënë në rrezik./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!