A është një rekomandim me gjysmë zemre që po prezantoni për Shqipërinë pas gjithë atyre që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin në vend?
Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: Jo, rekomandimi ynë është një rekomandim me gjithë zemër për të dyja vendet, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vlerësimi ynë është që të dyja vendet kanë plotësuar kriteret mbi bazën e marrëveshjes të dakordësuar midis nesh dhe këtyre vendeve. Kur të them nesh, i referohem të 28 vendeve anëtare. Nuk është thjesht një marrëveshje bilaterale midis Komisionit dhe këtyre dy vendeve. është një qëndrim solid ndaj pres një reagim pozitiv nga shtete anëtare.
A do të zhgënjeheshit nëse nuk ndodh në Qershor. Ju keni paralajmëruar disa here në intervista të dhëna për mediat e shteteve anëtare, që do të kishte rrjedhoja dramatike nëse vendimi për Maqedoninë e Veriut s’merret në qershor?
Johannes Hahn: Jam i sigurt që do ndodhë para pushimeve të verës dhe jam tërësisht i bindur për këtë. Ndaj nuk kam mendoj për një zhgënjim të mundshëm, sepse performancë e vendit është kaq e arrirë, saqë asnjë nuk mund ta injorojë atë.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Shqipërinë. Ndoshta ju nuk i besoni shtypi shqiptar dhe kjo është e drejta juaj. Por ka patur një mbulim ndërkombëtar shumë të gjerë nga mediat gjermane, italiane, franceze, holandeze, greke duke nxjerrë në pah lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, rastet e korrupsionit dhe dhunimin e të drejtave themelore në vend. Cili është qëndrimi juaj për këtë dhe si mund ta mbroni ju Shqipërinë me këtë mbulim që i është bërë në mediat evropiane?
Johannes Hahn: Së pari, pasi jam përkrahës i parimit të gotës gjysmë të mbushur dhe ndaj jam gjithnjë optimist dhe mendoj në fuqinë e transformimit të hapjes së negociatave si një nxitje e fortë për vendin. Por duhet të jemi të qartë. Shqipëria ka përmbushur kriteret për të cilat kemi rënë dakord me vendim unanim të 28 shteteve anëtare. Pra, ka një progres të madh kur bëhet fjalë për reformën e drejtësisë. Lidhur me procesin e Vettingut, 60 % e gjyqtarëve që kanë kaluar përmes procesit të rivlerësimit, nuk janë më në sistem. Kjo është një provë e një procesi dhe procedurave të forta. Sigurisht që transformimi merr kohë dhe kjo përfshin edhe në një farë mënyrë periudhën e riplanifikimit. Gjyqtarët nuk mund të merren kaq lehtë, ata duhet të jenë të kualifikuar dhe të kalojnë përmes rivlerësimit. Por kjo tregon se sa i shëndetshëm është ky proces. Por sigurisht, ne nuk mund të injorojmë situatën në vend që është paraqitur qartë përmes ekraneve të televizioneve. Opozita nuk është më në Parlament dhe ka një mungesë dialogu midis palëve. Kjo është dhe arsyeja pse disa shtete anëtare kanë disa shqetësime, por mundohem që t’ju shpjegoj dhe të jap argumentimin tim, duke thënë që i kuptoj krejtësisht shqetësimet e tyre, por e njoh situatën në terren më mirë se ta. Dhe mendoj, që hapja e negociatave është nxitja më e mirë për të ndryshuar gjerat në vend për mirë. Ne kemi nevojë për këtë nivel që të ndihmojmë zhvillimin e mëtejshëm të vendit, jo vetëm sepse qytetarët e Shqipërisë e meritojnë, por edhe se vetë ata e duan.
Ka patur shumë debate lidhur me krahasimin e situatës politike në vendin tuaj, Austri dhe situatës në Shqipëri. Në Asutri vetëm për një skandal, kryeministri thirri zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë, që në Shqipëri ka përditë skandale dhe nuk ndodh një gjë e tillë. Dhe është shtruar pyetja: Si ka mundësi që komisioneri pranon një standard për vendin e tij anëtare dhe jo për vendet aspirante si Shqipëria?
Johannes Hahn: Në një vështrim afatgjatë, do të mund të kemi sukses së bashku vetëm nëse arrijmë që Shqipëria të ketë performancë, procedura, si edhe standarde si ato europiane. Ndaj, procesi i anëtarësimit është një proces dhe jo vetëm negociatë. Gradualisht, standardet dhe procedurat duhet të njehsohen me standardet që kemi në Bashkimin Europian, si për shembull në Austri. Sigurisht, që në Austri kemi standardet më të larta dhe të këto zbatohen menjëherë, por kjo duhet parë si objektiv për t’u arritur. Duhet arritur te këto standarde, por kjo nuk mund të ndodhë nga një ditë në tjetrën. Por kjo sërish ka të bëjë me fuqinë transformuese që nxit këto vende.
S’është aspak e lehtë për të negociuar me vendet e Ballkanit, që s’kanë kulturë demokratike. Por ka patur kritika të forta për Komisionin Europian, se ju nuk po forconi shoqërinë civile, opozitat dhe të drejtat e qytetarëve në Ballkan, por po forconi qeveritë. Jo se ju doni ta bëni këtë, por ju jeni të manipuluar nga qeveri që plotësojnë reformat vetëm në letër.
Johannes Hahn: Kjo është ekzaktësisht ajo që nuk bëjmë ne. Ne nuk shohim vetëm te letrat, port e substance e atyre që është bërë. Por kjo na sjell sërish te debati. A është gota gjysmë e mbushur apo bosh? Unë them, nëse është e justifikuar, është gjysmë plot, sepse dua t’a shoh nga këndvështrimi pozitiv, në mënyrê që të krijohet terreni për zhvillime pozitive. Ne nuk jemi naivë, nuk kemi iluzione. Por cilat janë alternativat? Kam përshtypjen që ata që na kritikojnë, besojnë se ne mund të ndërhyjmë si ushtri, të ndërrojmë ato që janë në pushtet dhe të sjellim të tjerë. Ne jemi të përkushtuar ndaj shtetit ligjor. I vetmi ndryshim që ne mund të pranojmë është përmes votës së lirë, të ndershme dhe transparente të qytetarëve. Këtë kërkojmë ne. Kjo nuk arrihet nga një ditë në tjetrën, sepse ka të bëjë me besimin dhe mirëkuptimin midis palëve. Ndaj një gjyqësor i pavarur është kaq i rëndësishëm për të ndërtuar besimin dhe për të marrë masat lidhur me funksionimin e institucioneve. Pra, dhe një herê, nuk jam naiv kur shoh situatën në vend. Por sërish, duke qenë kaq të përkushtuar ndaj shtetit ligjor, ne s’mund t’i lemë mënjanë parimet tona, sepse kjo nuk do të ishte e paqëndrueshme. Mund të jetë e qëndrueshme vetëm instalohet ideja e demokracisë si krejtësisht gjithpërfshirëse. Kjo merr kohë. Pritshmëritë janë të mëdha dhe i kuptoj ata që janë të padurueshëm në rajon, por ne po punojmë shumë mirë me shoqërinë civile dhe kemi nevojë për mbështetjen dhe angazhimin e tyre në politikë. Ndaj, ne kemi nevojë për hapin e ardhshëm që të çimentojmë objektivat tanë, duke shpresuar që do bindim shtetet anëtare që kjo është e vetmja rrugë përpara.
Pse nuk ndërmjetësuar për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri siç e bëtë në Maqedoni?
Johannes Hahn: Disa herë mund të ndërmjetësosh në terren, disa herë përmes formash të tjera. Meqë ndodhemi para zgjedhjeve, nuk jam në terren që të përfshihem në fushata. Por i siguroj qytetarët që jam në kontakt të ngushtë me aktorët kryesorë. Nuk është se jam gjithnjë i suksesshëm në këto aktivitete, por kurrë nuk do të heq dorë, pasi në fund të fundit bëhet fjalë për qytetarët. Qëkur jam bërë gjysh, jam edhe më i angazhuar dhe i përfshirë në proces. Unë mendoj tashmë për 40-50 vitet e ardhshme dhe perspektivën që i lemë fëmijëve tanë. Fëmijët shqiptarë kanë të njëjtat të drejta që jo vetëm të kenë një jetë të denjë, por të kenë një perspektivë në vendin e tyre, të rriten në paqe dhe prosperitet. Për këtë mundohem që të jap kontributin tim dhe nuk do ndal së bëri këtë.
Dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut ndoshta në qershor, por jo për Shqipërinë? Ky është skenari i Qershorit?
Johannes Hahn: Nuk kam plan B. Qëllimi im është që të dyja vendeve t’ju hapet drita jeshile, sepse të dyja vendet kanë prezantuar rezultate. Sigurisht, që në rastin e Maqedonisë, çdo gjë shkëlqen, aq më tepër që u arrit marrëveshja e Prespës dhe ajo e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Ndërkohë që Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, por nga situate aktuale në vend. Pra, gjërat nuk janë shumë të lehta, por përpiqem që të përdor një qasje shumë racionale. E di që qytetarët në Ballkan nuk janë mësuar me qasje racionale, por kjo është mënyra ime për të kontribuar dhe besoj fort se në politikë duhet përdorur racionaliteti me më shumë logjikë dhe mund të arrihet më shumë./ABC News Albania 24/7