Hahn: Deri në Tetor, Shqipëria t’u ndryshojë opinionin shteteve

schedule20:45 - 18 Qershor, 2019

schedule 20:45 - 18 Qershor, 2019

Bashkimi Evropian do të marrë në fund të Tetorit vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet anëtare kërkojnë më shumë kohë për të shqyrtuar raportet e Komisionit Evropian për vendet aspirante.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë aprovuar konkluzione të njëjta për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Në këto konkluzione thuhet, se nisur nga koha e kufizuar dhe rëndësia e vendimit, Këshilli do t’i rikthehet hapjes së negociatave me dy vendet në fund të tetorit për një vendim të qartë dhe substancial. Presidenca rumune ka dhënë shpjegimin e saj për ABC News për arritjen e konkluzioneve të njëjta për dy vende ndërkohë kur disa shtete anëtare bëjnë një diferencim të dukshme midis tyre.

George Ciamba, ministri i jashtëm i Rumanisë: “Së pari, ne duhet të jemi të ndershëm dhe të themi që ne arritëm sot atë që mendonim dje se ishte e pamundur për t’u arritur sot. Së dyti, ne e ruajtëm për Maqedoninë e Veriut vlerën e marrëveshjes së Prespës . Kjo është e rëndësishme dhe i përgjigjet në një mënyrë edhe pyetjes tuaj. Së treti, është e rëndësishme që një vend si i yni që arti unanimitetin sot për disa çështje që nuk ishin të lehta. Dje kishte disa vende që nuk ishin dakord me disa pika kryesore dhe ne e shohim këtë në tekst. Ndoshta ne nuk arritëm një vendim historik, por arritëm të evitonim pengesat për marrjen e një vendimi në Tetor. Kjo është inkurajuese dhe gjuha e përdorur është pozitive dhe ajo u pranua nga Këshilli i ministrave”.

Komisoneri Hahn është pyetur nga Finantial Times nëse Komisioni Evropian është i shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe përfshirë përgjimet e gazetës Bild, duke venë në pah nga ana tjetër, se aktualisht shtetet anëtare nuk duken të gatshëm të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Johannes Hahn, komisioner për zgjerimin: “Ajo që mundohem të shpjegoj dhe të argumentoj, se Bashkimi Evropian ka një fuqi të veçantë për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe përgjatë këtij procesi dhe ka shumë pak pas anëtarësimit. Sigurisht që ju mund të shihni situatën sot në Shqipëri dhe mund të keni shqetësim lidhur me situatën politike dhe kryesisht para zgjedhjeve lokale. Është e rëndësishme që të bëhet diferenca se për çfarë është rënë dakord bazuar në një vendim unanim të Bashkimit Evropian. Ka 5 kritere që duhen përmbushur dhe sipas vlerësimit tonë, Shqipëria i ka përmbushur rezultatet dhe veçanërisht në fushën e reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për një reformë të paprecedentë. Dhe t’ia vëmë fajin tani që 8 nga 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë pranuar për shkak të procesit të vështirë dhe të fortë të Vettingut, që monitorohet nga një mision ndërkombëtar, nuk do të ishte e ndershme, pasi ka prova për efikasitetin e procesit. Sigurisht, nuk mund të injorojmë situatën e brendshme të Shqipërisë dhe kjo po e influencon shumë vlerësimin e disa shteteve anëtare. Shpresoj, që periudha deri në Tetor do të shërbejë për të ndryshuar opinionin e një ose disa shteteve anëtare”.

Lidhur me shanset për të patur një tjetër vendim në Tetor, komisionberi Hahn është përgjigjur:  “Ne po përballemi me disa probleme institucionale, por nuk e fsheh se ka disa shqetësime të disa shteteve anëtare lidhur me situatën e brendshme të Shqipërisë dhe shpresoj që kjo të një sinjal alarmi për qeverinë dhe opozitën. Sot pata një diskutim shumë konstruktiv me sekretaren e shtetit të Francës që argumentojnë, se Bashkimi Evropian duhet reformuar para zgjerimit, ndërkohë që të dyja proceset mund të bëhen paralelisht”.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të marrin vendimin përfundimtar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fund të Tetorit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!