Dhomat e specizlzuara në Hagë kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar me burg ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin për akuzat që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Trupi gjykues pranoi marrëveshjen e fajësisë që të akuzuarit arritën më herët me Prokurorinë e Specializuar.
Shala u dënua me tre vjet burgim, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi me dy vjet.
Ata e pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.
Në marrëveshjen me Prokurorinë Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari u pajtua se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.
Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhej fjalë, e as në cilin rast parashihej të dëshmonte ai.
Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit./abcnews.al