Kërkesa për 45 vite burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të forta, ndërsa analisti Ledion Krisafi e cilëson atë si një masë tepër të lartë dhe me sfond politik.
Sipas Krisafit, dënimi i kërkuar është “shumë i lartë nga sa pritej” dhe, duke marrë parasysh moshën e të akuzuarve, përkthehet praktikisht në burgim të përjetshëm. Ai thekson se situata në Kosovë nuk mund të barazohet me atë të Serbisë, duke argumentuar se Serbia ishte agresori në luftë, ndërsa shqiptarët ishin viktima.
Krisafi nuk përjashton mundësinë që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm ose të marrin një dënim më të ulët se 45 vite, por shprehet kritik ndaj qasjes së gjykatës, të cilën e konsideron politike dhe tendencioze. Sipas tij, ka pasur një përpjekje për të shpërndarë përgjegjësinë mes palëve, në mënyrë që faji të mos mbetet vetëm mbi Serbinë, e cila, sipas tij, ka kryer pjesën më të madhe të krimeve gjatë luftës.
Ai shton se paralelizmi mes UÇK-së dhe ushtrisë serbe është bërë më shumë për të prodhuar dënime sesa për të zbardhur të vërtetën, duke nënvizuar se UÇK-ja nuk ishte një ushtri e rregullt në kuptimin klasik të fjalës, por një organizim paramilitar në rrethana lufte.
“Në fakt është shumë e lartë nga sa pritej. Duke marrë parasysh edhe moshën e ish-krerëve të UÇK i bie që të jetë gati burgim të përjetshëm. Nuk jemi në këtë situatë në Kosovë, për më tepër që Serbia ishte agresori dhe shqiptarët ishin viktimat. Nuk përjashtohet mundësia që të akuzuarit të dalin të pafajshëm.
Ka një përpjekje që të dënoheshin të gjithë, për të mos ua lënë gjithë fajin serbëve. Lufta u fillua nga serbët dhe ata bënë pjesën më të madhe të krimeve. Një pjesë e elitave ndërkombëtare mund të jenë penduar për atë që ka ndodhur në Kosovë, dhe mendojnë që fajin ta mbajnë të gjithë. Kërkesa është e rëndë, nuk mund të dënohen shqiptarët që ishin viktima.
E gjithë kjo gjykatë është e gjitha politike, nuk ka qenë qëllimi për të hyrë në detaje. Qëllimi ka qenë që të dënojmë të gjithë, të gjithë ata që kanë bërë krime në ish-Jugosllavi. UÇK nuk ishte një ushtri në kuptimin e plotë të fjalës, ishte më shumë një organizimin paramilitar.
Nuk ishte e ngjashme me ushtrinë serbe. Paralelizmi me UÇK-në dhe me ushtrinë e Serbisë, ka qenë më shumë për të dënuar, se sa për të zbuluar të vërtetën. Në disa kancelari ndërkombëtare, është thënë që Shqipëria nuk mund t’i marrë të gjitha, pavarësinë. Qëllimi ka qenë që të dënohen të gjithë. Ka qenë shumë tendencioze. Nuk mendoj se mund të ketë një dënim maksimal 45 vjet, mendoj që mund të ketë një dënim më të vogël, por edhe pse jo pafajësi”, tha Krisafi.


