Habit nutricionistja e njohur: Shumë shpejt shqiptarët do të mbesin pa ngrënë

schedule12:22 - 4 Janar, 2023

schedule 12:22 - 4 Janar, 2023

Në programin e sotëm në “Abc-ja mëngjesit” ishte e ftuar nutricionistja e njohur Blerina Bombaj. Tema e ditës ishte rikthimi në formë pas festave duke ndjekur një regjim të shëndetshëm. Që të humbasim kilet e tepërta, Bombaj tha se duhet të humbasim 3000 kalori në ditë, një reduktim ky i bërë në sajë të ushqimeve që ne konsumojmë si drithërat, frutat, bulmeti e duke hequr dorë nga ëmbëlsirat, ushqimet e gatshme apo ato të panevojshme.

Gjithashtu për sa i përket frutave duhet të jenë të stinës sepse nëse nuk janë të stinës, përmbajnë pesticide. Bombaj shtoi se është absurditet të kërkojmë në dimër frutat dhe perimet e verës. Në bisedë e sipër ajo bëri një thirrje kundrejt konsumatorëve që mos të presin vetëm nga politikbërësit, por të japin dhe vetë rekomandime për rregullimin e tregut.

“Do të mbetemi pa ngrënë në këtë vend nëse nuk vëmë mend dhe nuk mbështesim prodhimin vendas. Kur them do mbetemi pa ngrënë e kam me plot kuptimin e fjalës. Qumështi po mbaron, shqiptarët po largohen, fshatrat po braktisen dhe në fund do hamë çfarë na sjell importi. Kështu që të dashur konsumatorë, bëhuni patriotë. Mbështesni fermerët e vegjël dhe pakësoni importin”, tha ajo./abcnews.al