Mbrëmjen e sotme, “qytetarët” e Manchester City do të kenë sërish mundësinë për të “rrëmbyer” vendin e parë në Premier League, “topçinjve” të Arsenal, teksa në “Etihad Stadium” do të presin “çekiçët” e West Ham.
Në prag të ndeshjes, ditën e sotme u mbajt një konferencë për shtyp, nga ku tekniku spanjoll Pep Guardiola foli fillimisht për numrin e madh të ndeshjeve të luajtura kohët e fundit e më pas për arritjet e “robotit” norvegjez, Erling Haaland, gjatë sezonit të tij të parë me fanellën e “qytetarëve”.
“Unë jam i lodhur, por nuk janë këmbët e mia ato që luajnë. Kemi qenë në këtë situatë duke luajtur 6-7 ndeshje në një muaj për një periudhë 6-7 vjeçare. Forca psikologjike do të jetë atje. Kjo është periudha më e bukur në të cilën ne duam të jemi. Psikologjikisht ne nuk jemi të lodhur. Kemi edhe 6 ndeshje dhe duhet të shkojmë për t’i fituar ato. Forca psikologjike është aty”,- u shpreh Guardiola gjatë konferencës.
Më tej, i pyetur nga gazetarët e pranishëm nëse e ndoqi derbin e mbrëmshëm të Londrës, mes Arsenal e Chelsea, tekniku spanjoll tha se nuk i kontrollon rezultatet e ekipeve të tjera, por fokusohet vetëm te performanca e djemve të tij.
“Unë nuk i kontrolloj rezultatet e ekipeve të tjera. Jam i fokusuar tek ajo që do të bëjmë kundër West Ham. Ata nuk kanë luajtur sezonin që prisnin, por nuk do të thotë se nuk kanë cilësi. Analizova ndeshjet e tyre kundër Liverpool dhe Arsenal, por edhe atë kundër nesh më herët këtë sezon dhe cilësia është atje në atë skuadër. Declan Rice është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ne duhet të jemi absolutisht gati”,- tha spanjolli.
Më tej, Guardiola foli dhe për “robotin” norvegjez, Erling Haaland, i cili tashmë është në kuotën e 34 golave, vetëm 1 larg vendosjes së rekordit të ri për më shumë gola të shënuar brenda një sezoni të Premier League.
“Sigurisht që është mirë për të dhe skuadrën nëse ai thyen rekordin. Unë jam shumë i sigurt se ai do të shënojë më shumë gola në Premier League deri në fund të sezonit”,- tha Guardiola për “vikingun”. /i.m /abcnews.al