Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington. Gjatë takimeve me drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve, Guvernatori Sejko, tha se zbatimi politikës monetare stimuluese nga Banka e Shqipërisë ka mbështetur rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, si dhe të inflacionit.
Rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Janë këto zhvillimet më të fundit të Shqipërisë që guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko i bëri të ditura në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.
Zbatimi politikës monetare stimuluese ka mbështetur rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, si dhe të inflacionit ka thënë guvernatori Sejko. Më konkretisht, në lidhje me zhvillimet në ecurinë e çmimeve të konsumit, Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë e fokusuar në përmbushjen e objektivit të saj kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Inflacioni po kthehet gradualisht në nivelin e synuar, duke ardhur në rritje, dhe parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.
Ndërsa në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar vihet në dukje se: “Rritja e dobësive financiare, rritja e tensioneve në aspektet tregtare dhe gjeopolitike, dhe borxhi historikisht i lartë në nivel global, kërcënojnë parashikimet për rritjen globale. Faktorët demografikë dhe rritja e ulët e produktivitetit mund të reduktojnë potencialin për rritje më të lartë dhe më përfshirëse në të ardhmen”.
Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu përfaqësuesit e lartë të këtyre dy institucioneve gjetën rastin të inkurajonin BankëneShqipërisë në angazhimin e mëtejshëm lidhur me planin e masave për reduktimin e kredive me probleme, nxitjen e kreditimit dhe stimulimin e përdorimit të monedhës kombëtare. /abcnews.al