Guvernatori i Gaziantepit, Davut Gul foli pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.4 që goditi rajonet jugore të Turqisë herët në mëngjes, raporton Anadolu.
“Ne kemi pranuar 657 telefonata që nga momenti i parë pas tërmetit. 531 rrënoja janë regjistruar në të gjithë qytetin”, tha Gul.
Gul tha për Anadolu se pas tërmetit, shërbimet shtetërore dolën në terren dhe po përpiqen të ofrojnë ndihmë me të gjitha mjetet. Ai shtoi se aktivitetet e kërkimit-shpëtimit dhe ndihmës po vazhdojnë.
Të paktën 284 persona humbën jetën dhe 2.323 të tjerë u plagosën si pasojë e tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.4 ballë sipas shkallës së Rihterit që goditi rajonet jugore të Turqisë herët në mëngjes.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua në qarkun Pazarcik të Kahramanmaraş, pasuar nga 50 pasgoditje, më e forta prej të cilave ishte 6.6 ballë të shkallës Rihter. Tërmeti është ndjerë në shumë qytete në jug të Turqisë, veçanërisht në provincat Kahramanmaraş, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Gaziantep, Sanliurfa, Dijarbakir, Malatya dhe Adana.
Të gjitha shërbimet kompetente të Turqisë janë të angazhuara në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ekipet përkatëse nga të gjitha pjesët e Turqisë po mbërrijnë në zonat e prekura nga tërmeti.