Varianti Delta ka dyfishuar rastet e infektimeve me Covid gjatë këtij muaji krahasuar me gushtin e vitit 2020.
Një vit më parë deri në datën 20 gusht kishte 2691 raste, ndërsa këtë vit janë 5067 të infektuar. Por nëse ka një përhapje të shpejt të rasteve të reja, humbjet e jetëve nga virusi gjatë kësaj periudhe kanë qenë disa herë më të ulëta. Në 20 ditët e para të gushtit të vitit të kaluar u regjistruan 84 viktima, ndërsa këtë vit nga data 1 deri më sot kanë humbur jetën 16 qytetarë.
Edhe numri i pacientëve të shtruar në spitale ka qenë thuajse 3 herë më i lartë një vit më parë, ku ishte i hapur edhe spitali “Shefqet Ndroqi”. Mesatarisht në atë periudhë në spitale ka pasur rreth 115 të shtruar, ndërsa këtë vit janë rreth 40 pacientë.
Edhe mënyra e shfaqjes së virusit ka pësuar ndryshim. Nëse variant fillestar i Covid shfaqej agresiv që në ditët e para, varianti delta rëndohet në fillim të javës së dytë të infektimit. Vihet re më pak humbja e shijes dhe nuhatjes tek pacientët e prekur me Covid aktualisht, ndërsa një vit më parë kjo ishte edhe simptomatika dalluese e këtij infeksioni.
Por edhe pse kemi një dyfishim të infektimeve ditore nga viti i kaluar, Komiteti i Ekspertëve nuk ka propozuar asnjë masë për të frenuar përhapjen e Covid. /abcnews.al/