Gurishta: Dështim po nuk fituam Kupën, Laçi nuk është vetëm Guindo

schedule20:54 - 30 Maj, 2022

schedule 20:54 - 30 Maj, 2022

Erdenis Gurishta, kapiteni i Vllaznisë, para finales së Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, ka dalë para mediave dhe ka deklaruar: “Air Albania ka qenë fatsjellës për ne, por finalja e vitit të kaluar ishte një ndeshje tjetër dhe kjo një tjetër. Vitin e kaluar e kishim siguruar Europën nga kampionati dhe normalisht ishim më të qetë.

Tani është një situatë tjetër. Fitimi i kësaj finaleje na mundëson hyrjen në Europë, ndryshe do të jetë dështim. Skuadra është e përgatitur, është gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen e nesërme dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që Kupa të shkojë përsëri në Shkodër”.

“Fitorja në sfidën hapëse të sezoni? Ajo e kampionatit ishte një ndeshje shume e mirë jona, sepse t’i shënosh 5 gola Laçit dhe në fushën e tij nuk është e thjeshtë. Ishte një ditë e mirë jona, por finalja është tjetër, shanset janë 50 me 50. Duhet të jemi të përqendruar, episodet mund ta vendosin fatin e takimit.”

“Guindo? Nuk është se do të marrim masa speciale për të ndaluar Guindon, Laçi nuk varet vetëm tek ai. Guindos i uroj suksese, sepse ka fituar trofeun e golashënuesit, ne jemi të fokusuar, sepse përballë kemi Laçin e jo vetëm Guindon”.

“Krymi në Bjellorus? Më vjen mirë për Arditin, është djalë fantastik, lojtar i mrekullueshëm. Më vjen mirë që ka siguruar një kontratë jashtë Shqipërisë, por vëmendja jonë është te ndeshja e nesërme, shpresoj ta fitojë Kupën dhe të largohet si fitues”.

“Mbështetja? Që nga fillimi presidenti ka qenë pranë skuadrës, por për arsye të ndryshme nuk jemi në Europë. Kemi mundësi ta korrigjojmë nesër gabimin e kampionatit dhe të sigurojmë Europën që do të ishte një plus i madh për presidentin, skuadrën dhe qytetin.”

“Tifozët? Besoj se ata nuk kanë nevojë për asnjë mesazh, sepse ata e kanë treguar që në ndeshje të rëndësishme kanë qenë në mbështetje të skuadrës. Shpresoj që nesër të jetë një tifozëri e flaktë dhe të kemi mundësi të festojmë së bashku”, përfundoi Gurishta. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!