Trajneri i Manchester City dhe ish-trajneri i Messit, Pep Guardiola, ka përsëritur besimin e tij se kapiteni i Argjentinës është lojtari më i madh i të gjitha kohërave.
Messi udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit të parë të Kupës së Botës që nga viti 1986 në Katar 2022, duke prodhuar paraqitje të shumta të jashtëzakonshme dhe momente shkëlqimi për të imituar heroin dhe bashkëatdhetarin e tij, Diego Maradona.
Ishte i vetmi trofe që i kishte munguar Messit gjatë gjithë karrierës së tij të shquar dhe u sigurua në mënyrën më dramatike të mundshme, pasi Argjentina mundi Francën me penallti pas një barazimi 3-3. Guardiola ka trajnuar Messin te Barcelona nga viti 2008 deri në vitin 2012, një ekip që konsiderohet gjerësisht si më i miri i të gjitha kohërave.
“Të gjithë kanë një mendim, por askush nuk mund të dyshojë se ai është atje me më të mirët e të gjitha kohërave. Për mua, e kam thënë shumë herë, ai është më i miri. Është e vështirë të kuptosh që një lojtar mund të shfaqet dhe të konkurrojë atë që është bërë në 50 apo 70 vitet e fundit. Njerëzit që panë Pele, Di Stefano ose Maradonën, mund të thonë se ata janë më të mirët, por shpesh këto janë mendime sentimentale.
Messi fitoi Kupën e Botës, tashmë për mua dhe shumicën nuk ka më dyshime, Messi është lojtari më i mirë në historinë e futbollit, shifrat, statistikat dhe trofetë flasin vetë, nuk e them unë, por faktet”, është shprehur Guardiola./h.ll/abcnews.al