Qeveria turke bëri të ditur se vitin e fundit janë riktheyr në vend rreth 80 persona të akuzuar për lidhje me rrjetin e Fetullah Gylen, i cili akuzohet për organizimin e grushtit të shtetit në Korrik 2016.
Shërbimet sekrete turke, vitin e fundit kanë riatdhetësuar nga jashtë 80 persona, që akuzohen se i përkasin lëvizjes së predikuesit Fetullah Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon se organizoi përpjekjen e dështuar për grusht shteti në Korrik të 2016-s. Lajmi është konfirmuar nga vetë qeveria turke.
Që nga përpjekja për grusht shteti, shërbimet sekrete turke kanë sinjalizuar 80 mbështetës të Gylen në 18 vende të ndryshme dhe i kanë risjellë në Turqi, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjatë një interviste për televizionin shtetëror.
Këto deklarata vijnë një javë pasi shërbimet speciale turke rikthyen në Turqi pesë mësues dhe një mjek turk, të cilët jetonin në Kosovë, me një operacion sekret që shkaktoi një krizë politike në Prishtinë, ku mediat flasin për sekuestrim personash.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, urdhëroi nisjen e hetimeve si dhe shkarkimin nga puna të ministrit të Brendshëm si dhe kreut të shërbimit të inteligjencës, duke i akuzuar se nuk e kishin vënë në dijeni për këtë operacion, që ai e cilësoi të papranueshëm./abcnews.al