Gruri del nga Ukraina për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus, SHBA: Mirëpresim nisjen e anijes së parë nga portet e Detit të Zi

schedule09:58 - 1 Gusht, 2022

schedule 09:58 - 1 Gusht, 2022

Ambasada amerikane në Kiev ka përshëndetur nisjen e anijes së parë me grurë nga portet e Detit të Zi në Ukrainë që prej fillimit të pushtimit rus.

Nëpërmjet një postimi në twitter Ambasada amerikane në Kiev shkruan se SHBA-të mirëpresin nisjen e anijes së parë nga portet e Detit të Zi të Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.

“Bota do të vëzhgojë zbatimin e vazhdueshëm të kësaj marrëveshjeje për të ushqyer njerëzit në mbarë botën me miliona tonë drithë ukrainas të bllokuar”, shkruhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Anija Razoni me flamurin e Sierra Leone, me 26 mijë tone grurë, është larguar nga porti i Odesës, me destinacion Libanin. Ky është largimi i parë i një anijeje me drithë që nga fillimi i pushtimit rus, sipas ministrisë së infrastrukturës të Ukrainës.

Ukraina së bashku me partnerët tanë ka ndërmarrë një hap tjetër sot në parandalimin e urisë në botë”, tha Oleksandr Kubrakov, ministri i infrastrukturës i Ukrainës, në një deklaratë të hënën.

Kubrakov theksoi se Ukraina kishte bërë gjithçka për të rikthyer aktivitetin në portet dhe se heqja e bllokadës do t’i jepte ekonomisë së Ukrainës 1 miliard dollarë të ardhura nga këmbimi valuator, raporton The Guardian.

Lexo edhe: “Armëpushim” në frontin e drithit, gruri del nga Ukraina për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus

Ministri i infrastrukturës i Ukrainës tha se 16 anije të ngarkuara ishin bllokuar në portet e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus dhe se ata planifikonin që portet të rifitonin kapacitetin e plotë të transportit në javët e ardhshme.

Rusia pranoi të lejojë anijet e grurit të largohen nga Ukraina dhe të mos i sulmojë ato në një marrëveshje që u nënshkrua më 22 korrik në Stamboll. Por më pak se 24 orë më vonë, vërtetësia e marrëveshjes u vu në dyshim kur forcat ruse goditën portin e Ukrainës, Odesa.

Kur u pyet nga ministri i mbrojtjes i Turqisë, Rusia në fillim mohoi se ishte e përfshirë në sulm.

Por të nesërmen ajo publikoi ​​një deklaratë duke thënë se kishte goditur një anije ukrainase që mbante armë perëndimore e cila ishte në port. Autoritetet e Ukrainës hodhën poshtë shpjegimin e Rusisë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!