Pesë krerët e partive aleate të demokratëve kane zhvilluar një takim me mbështetësit e tyre në qytetin e Shkodrës, nga ku kanë përsëritur thirrjen drejtuar qytetarëve për t’iu bashkuar në protestën e radhës më 2 Qershor.
Takimi e radhës për të diskutuar për zgjedhje të lira e të ndershme, grupimi i qendrës së djathtë, aleatët e Lulzim Bashës në opozitë, e zhvilluan në Shkodër.
Duka: “Kryeministri, ata që janë në Parlament sot, i anatemon, i quan zëvendësues të Partisë Demokratike”.
Mediu: “Problemi i dytë i madh që kemi ne janë liritë politike, në momentin kur qytetarët nuk janë të lirë për të votuar, për të përcaktuar me votën e tyre se kush është e ardhmja e fëmijëve të tyre, e familjeve të tyre, e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, atëherë ne nuk kemi bërë as më shumë e as më pak, por jemi kthyer në një lloj sistemi autoritar, të ngjashëm me diktaturën, ku vendoset çdo gjë nga një grup njerëzish politik. Prandaj, kemi propozuar një sistem proporcional, kombëtar apo rajonal, me lista të hapura”.
Sipas tyre, mos konsiderimi i protestave që vijojnë prej muajit shkurt, duhet ti japë më shumë vullnet qytetarëve për qëndresë.
Ndoka: “Mijëra qytetarëve që kanë protestuar në Tiranë. Askush nuk është sprapsur, ka pasur rritje të qytetarëve që e kuptojnë se ky është mesazhi më i fort që i jepet politikës shqiptare në tërësi, dhe ju bëj thirrje që në 2 qershor të jemi të gjithë së-bashku, për të protestuar, për të sensibilizuar”.
Shehi: “Ne po rezistojmë për gjënë që është më esenciale që kemi fituar këto 27-28 vjet, lirinë për të zgjedhur. Po e humbëm edhe këtë, këtu demokracia mbetet një fjalë boshe pastaj, dhe kthehemi atje ku kemi qenë”.
Dule: “Ju si shkodranë keni qenë përherë në krye të betejave demokratike. Më 30 Qershor zgjedhje nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të ketë”.
Krerët e partive aleate të demokratëve përsëritën thirrje për bashkim në protestën e radhës së opozitës, paracaktuar për pasditen e së dielës./ABC News Albania 24/7