Grupi rus i të drejtave të njeriut: Rrezikojmë mbylljen prej ligjit për “agjentët e huaj”

schedule21:06 - 11 Nëntor, 2021

schedule 21:06 - 11 Nëntor, 2021

MOSKË – Organizata më e njohur e të drejtave të njeriut në Rusi, grupi Memorial, tha të enjten se është njoftuar nga Gjykata e Lartë se prokurorët kanë kërkuar shpërbërjen e tij për shkelje të ligjit për “agjentët e huaj”, një lëvizje që konsiderohet si e motivuar politikisht.

Kjo masë rrezikon të heshtë organizatën që lindi nga reformat “glasnost” të udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov në vitet 1980 dhe u shndërrua në një zë kryesor të shoqërisë civile.

Ndërsa në fillimet e saj përqëndrohej tek krimet e periudhës staliniste, organizata Memorial ka folur së fundmi haptazi kundër represionit ndaj figurave opozitare, aktivistëve, gazetarëve dhe personave të tjerë nga Presidenti Vladimir Putin.

Që në vitin 2015, organizata u vendos në një listë “agjentësh të huaj”, një emërtim që mbart referenca ndaj spiunazhit dhe është përdorur nga autoritetet ruse për OJQ-të, mediat dhe të tjerë, të cilët mendohet se përdorin fonde të huaja për t’u angazhuar në aktivitet politik. Zyrat e organizatës në mbarë vendin janë sulmuar në raste të shumta.

Organizata Memorial thotë se ligji për “agjentët e huaj” u hartua për të goditur organizatat e pavarura dhe se nuk ekziston baza ligjore për shpërbërjen e saj.

“Ky është një vendim politik për të shkatërruar grupin Memorial, një organizatë e përkushtuar historisë së represionit politik dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, thuhet në një deklaratë të organizatës, rasti i së cilës do të shqyrtohet në gjykatë më 25 nëntor. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!