Grupi “Bajri” të hënën del para Gjykatës së Krimeve të Rënda

schedule14:31 - 23 Shtator, 2018

schedule 14:31 - 23 Shtator, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda pritet të verifikojë të hënën masat e sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë për 11 të arrestuarit si anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. Të arrestuarit do të dalin pra Krimeve në orën 14:00.

Nëntë personat e arrestuar në Shqipëri gjatë operacionit policor të “Oaz”, si anëtarë të grupit kriminal “Bajri” pritet të dalin të hënën në orën 14:00 para një trupi gjykues te Krimeve të Rënda. Kjo gjykatë do të verifikojë masat e sigurisë “arrest në burg”, caktuar më herët në mungesë për ta. Burime pranë institucionit bënë me dije se prokuroria do t’i qëndrojë të njëjtës masë sigurie.

Gjatë së dielës, gjykata ka bërë njoftimet përkatëse për Komisariatet e Policisë u mbahen të arrestuarit, si edhe për burgun e “Shën Kollit” ku qëndrojnë tre personat e arrestuar javën e parë të Shtatorit pas kontrolleve policore në Shkodër.

Operacioni “Oaz” u mbyll mbrëmjen e së shtunës, në përfundim të një hetimi 6-mujor të koordinuar mes Policisë dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe agjencive partnere Holandë me 11 të arrestuar në Tiranë, Shkodër e Roterdam dhe dy persona të shpallur në kërkim.

Sipas prokurorisë, grupi i dominuar nga anëtarë të fisit Bajri kryente aktivitet kriminal brenda dhe jashtë vendit, ku spikaste përfshirja në trafikun e drogërave të rënda edhe “gjobvënia”. Bazuar në dhjetëra orë përgjime, informacione të shkëmbyera me partnerët dhe veprimeve proaktive në terren, Prokuroria ka dokumentuar deri tani se anëtarë të këtij grupimi janë autorë të dy vrasjeve të ndodhura gati dy dekada më parë në Shkodër.

E para është vrasja e Arbën Tuzit, në shkurt të vitit 2001, ndërsa tjetra vrasja e 15-vjeçares Fabiola Bajri në vitin 2002, bashkëjetuese e njërit prej të arrestuarve. Vrasja e së resë është raportuar fillimisht si vetëvrasje, ndonëse vajza ishte qëlluar me një plumb, ndërsa arma pranë saj u gjet me fishek gati për qitje.

Mes të arrestuarve janë dhe Safet Bajri dhe vëllai i tij Ilir Rustemi, të konsideruar si njerëzit kryesorë të grupit. Në role të ndryshme anëtarët e grupit dyshohet të kenë konsumuar 10 vepra penale, ku nuk mungojnë as dyshimet për pastrim parash, apo trukim të ndeshjeve sportive./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!