“Gruaja” kthen Gazmend Lekën tek nudo, fuqia e femrës përmes ciklit të pikturave

schedule16:32 - 24 Tetor, 2021

schedule 16:32 - 24 Tetor, 2021

Nga Leontina Nika

Sa herë përmendet emri i një piktori, ndërmend të vjen edhe muza e tij frymëzuese, nudo. Kjo fatkeqësisht jo për një realitet si yni edhe pse fillesat kjo gjini e pikturës i ka në vitet  20-30.  Piktori i njohur Gazmend Leka këtë vjeshtë vjen krejt ndryshe me ekspozitën “Kaloi një grua”

Në këtë ekspozitë vijnë tri anë, në tri dhoma, ajo, ai dhe ajo që është piktori dhe modelja, si edhe pamja e tretë intimiteti i saj në dhomën e gjumit.

Personazhet femra, e kanë bërë më njerëzor e të prekshëm Lekën. Loja me dritën e bën më poetik piktorin. Gruaja vjen me gjithë fuqinë e saj dominuar nga mëmësia.

“Kaloi një grua” është ekspozita më e fundme e piktorit Gazmend Leka të cilën e përshkruan kështu kuratori Ermir Hoxha: Ajo vjen e përpiktë në vjeshtën e këtij viti, ashtu si para shtatë vjetësh kur ai nisi serinë e përvitshme të aktiviteteve personale. Pat nisur me “Symbolon” (2014), për t’u pasuar nga “Molla”, “Natura Morta”, “Taso”, “Lutja”, “Dhoma e Hapave të Humbur”, deri tek imazhi apokaliptik i “Noe”. Ishte aty simboli antik në petkun bashkëkohor dhe triptiku i fundmë ekzistencial i artistit.

“Kaloi një grua” është e fundit e këtij manifestimi figurativ. Pas notave tejet dramatike të cikleve të fundit, ajo duket se rikthen më në fund “paqen” në studion e Lekës. Ajo është një oaz qetësie, dedikuar profesionistit dhe modeles; artistit dhe habitatit të tij; aktit të krijimit, sa dhe momenteve të heshtjes midis. E ndërtuar nga 15 tablo në vaj e 13 vizatime, përtej të gjithave, ajo është konfirmimi i vazhdimësisë së një rrugëtimi nisur dekada më parë dhe materializimit të njërit prej zërave më të vyer të pikturës shqiptare./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!