Partia Demokratike e ka cilësuar një dështim ekonomik, mosrealizimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë 2019. Në një deklaratë për mediat, Dorian Teliti, drejtor Kabineti në selinë blu deklaroi se mungesa e 260 mln dollarëve në buxhet lidhet direkt me korrupsionin, kontrabandën dhe rënien e konsumit.Sipas Telitit qeveria Rama ka mundur që të rrisë vetëm shpenzimet e luksit.
“Me vendosjen e buxhetit të shtetit dhe pasurive të shqiptarëve në funksion të pasurimit të vet dhe një grushti oligarkësh Edi Rama ka vazhduar të rrënojë çdo vit ekonominë e familjeve shqiptare. Kryeministri i votave të vjedhura është rekordmen i korrupsionit dhe paaftësisë. Të kërkosh ndihmë nga donatorët për të prekurit nga tërmeti dhe nga ana tjetër të shkaktosh vendit një tërmet tjetër korrupsioni, do të thotë tallje me shqiptarët dhe vendet tona mike”, tha Teliti.
Ndërkohë eksperti, Zef Preçi shprehet se mungesa e të ardhurave lidhet me mungesën e investitorëve, krizën politike dhe me paratë informale që qarkullojnë në vend.
“Fakti që nuk ka investime të këtyre përmasave ishte e pritshme që te jepte ndikime në ekonomi. Kriza politike jep ndikimet e veta qoftë në administratë qoftë në biznese”, deklaroi Preçi.
Sipas Preçit kjo situatë është kthyer në një rreth vicioz për ekonominë ku mungon produktiviteti dhe rritja e pagave
“Shqipëria vazhdon të mos ketë një rritje pagash prej shumë vitesh. Sektori publik për rrjedhojë vazhdon të financojë sektorin privat”, tha ai.
Buxheti i shtetit ka pësuar mosrealizimin më të madh të ardhurave gjatë 2019 nëse e krahasojmë me vitet fundit ndërsa ndikimin kryesor e ka dhënë TVSH./abcnews.al