Gripi, prag epidemie/ Mjekët: Tirana, numrin më të madh të rasteve, më të prekur fëmijët

schedule15:33 - 18 Janar, 2024

schedule 15:33 - 18 Janar, 2024

Shqipëria nuk ka hyrë në epidemi të gripit, megjithkëtë ndodhet në zonën e rrezikut. Javën e fundit të prekurit nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes sipas Institutit të Shëndetit Publik  u rritën me 13%. Afro 15 mijë të sëmurë  kërkuan ndihmën e mjekëve ose 540 raste për 100 mijë banorë.

“Jemi në zonën e  rrezikshme, për të arritur pragun shifrat duhet të jenë  800 raste për 100 mijë banorë,  pra me intensitet të lartë, por nuk e kemi kaluar pragun e epidemisë.

Në javën e dytë të vitit 2024 kemi një rritje prej 13%  të këtyre infeksioneve respiratore  në të gjithe vendin, por duke u krahasuar me  të njejtën javë  të vitit të kaluar niveli është më i ulët.

Aktualisht kurba është në ngritje e numrit të rasteve me infeksione të sipërme dhe të poshtme, por nuk e kemi arritur pikun akoma.”

Kurba e të prekurve nga infeksionet e  rrugëve të frymëmarrjes sipas epidemiologëve parashikohet të arrijë pikun në fund të janarit.

Përhapja më e madhe e viruseve  aktualisht  është në rrethe të vogla  ndonëse numër më të lartë  të sëmurësh  ka Tirana për shkak dhe të  numrit më të madh të popullsisë.

Më të prekur po rezultojnë fëmijët.

“Incidencën më të lartë e kanë rrethet e Delvinës, Kurbinit, Sarandës,  gjithmonë duke u bazuar në incidencë.  Tirana ka  incidencë jo shumë të lartë, por duke e konsideruar që ka numër më të madh popullate, por fluksi në Tiranë, në shërbimin shëndetësor është shumë i rritur

Grupmosha më e prekur aktualisht është grupmosha pediatrike. Fëmijët nga 1 në 14 vjeç, por nuk lihet pa u përmenduar dhe  rastet e moshave mbi 65 vjeç.”

Javën e fundit sipas  specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik ka një rritje të të sëmurëve dhe nga Covid.  Përgjithësisht të prekurit prej koronavirusit kanë marrë shërbim ambulatorë  dhe  të shtruarit në spital kanë qënë  të paktë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!