Gripi i shpendëve, ministria e Bujqësisë: S’kemi asnjë vatër dhe rast të ri në 24 orët e fundit

schedule12:38 - 27 Mars, 2022

schedule 12:38 - 27 Mars, 2022

Ministria e Bujqësisë njofton se në 24 orët e fundit nuk është identifikuar asnjë vatër e re dhe asnjë rast i ri me gripin e shpendëve.

“Mbi situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, edhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar nga ISUV gjatë 24 orëve të fundit, dhe po ashtu nuk ka patur as denoncime apo njoftime në numrin e gjelbër. AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.  Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika. U kemi kërkuar bashkive bashkëpunim të plotë në lidhje me marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura të pamiratuara për shitje në zbatim të urdhrit Nr.131, datë 25.3.2022 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla“, njofton zv/Ministrja Ermira Gjeci.

Në 24 orët e fundit ministria raporton se:

  • Nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmruar
  • Nuk kemi vatra të reja infeksioni
  • Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar
  • Vazhdon monitorimi i vazhdueshëm në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve mbi situatën epidemiologjike të shfaqjes së influencës aviare me qëllim marrjen e masave kufizuese për importin në vend.
  • Vazhdon procesi për fuqizimin e flotës së veterinerëve zyrtarë
  • Jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjithë territorit
  • Vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.

“Sigurojmë konsumatorin se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta. Nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperature më të larta se 70 gradë Celsius siç është edhe procedura normale e gatimit.

U bëjmë me dije shtetasve shqiptarë që në rast të dyshimit se kanë shpendë të sëmurë në oborret e tyre të kontaktojnë menjëherë veterinerin zyrtar të zonës ose të telefonojnë falas në numrin e gjelbër 0800 33 66. Informacioni i nevojshëm për konsumatorët dhe fermerët gjendet në faqet e webit të Ministrisë së Bujqësisë, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”, thuhet në njoftim.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!