Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sulmuar përsëri Gjermaninë, duke vijuar kështu përplasjet e ashpra edhe pas samitit të G7-s. Kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkon që Berlini të paguajë më shumë për NATO-n.
Beteja e Donald Trump kundër Gjermanisë vijon edhe pas G7-ës. Presidenti amerikan lëshon një anatemë të re:
“Gjermania paguan shumë ngadalë 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në NATO, ndërsa ne paguajmë 4% të një Prodhimi të Brendshëm Bruto më të madh. Dikush beson se kjo ka kuptim?”, pyet kreu i Shtëpisë së Bardhë në Twitter.
“Ne mbrojmë Europën që mbrohet mirë në humbjet e mëdha financiare, e më pas goditemi padrejtësisht në tregti. Ndryshimi po vjen!”, paralajmëron Trump.
“Shtetet e Bashkuara paguajnë thuajse të gjithë koston e NATO-s, duke mbrojtur shumë nga vendet e njëjta që na vjedhin në tregti”, shkruan presidenti amerikan nga Singapori, duke theksuar se BE duhet të paguajë më shumë për çështjen ushtarake. Konkluzioni i Trump është se nuk mund të lejojë që miqtë apo armiqtë e SHBA të përfitojnë në aspektin e tregtisë.
Ndërkohë, CNN ka mësuar se në takimin e Trump me Macron në Prill, kreu i Shtëpisë së Bardhë i është ankuar presidentit francez lidhur me Berlinin.
“Europa është më keq se Kina”, është shprehur Trump, duke sulmuar veçanërisht Gjermaninë.
Ai madje ka hipotezuar bllokimin e hyrjes së makinave gjermane në SHBA.
“Ne jemi të gatshëm të flasim për pabarazitë në peshë në tregti. Por kjo nuk mund të ndodhë në formën e një konfrontimi”.
Ky është mesazhi i ministrit gjerman të ekonomisë Peter Altmaier mbi konfliktin tregtar midis BE-së dhe SHBA-ve. Altmaier pranoi se për evropianët dhe partnerët e tyre është shënuar një hap prapa, në vend të progresit, tek G7.
“Është e rëndësishme për evropianët të veprojnë së bashku”, shtoi ai, duke pohuar se përplasja aktuale duhet të tejkalohet.
Zyrtari i qeverisë Merkel nënvizoi se Gjermania është në dispozicion vetëm për marrëveshje besnike./abcnews.al