“Griezmann ka harruar të luajë futboll, çfarë kërkon akoma te Barcelona?!”

schedule19:34 - 27 Tetor, 2020

schedule 19:34 - 27 Tetor, 2020

Antoine Griezmann te Barcelona duket si hija e atij lojtari që jemi mësuar të shohim tek Atletico Madrid dhe Franca. Sulmuesi francez është futur në sezonin e dytë me ekipin katalanas, por nuk po ia del të shfaqë potencialin që zotëron.

Kritikat ndaj 29-vjeçarit nuk kanë munguar dhe i fundit që flet në lidhje me këtë temë është Bixente Lizarazu. Ish-mbrojtësi anësor i Francës dhe Bayern Munchen, thekson për Telefoot se Griezmann nuk ka asnjë raport me Leo Messin, liderin dhe yllin e Barcelonës.

Mendoj se Griezmann është një futbollist fantastik, por te Barcelona nuk është i tillë. Problemi është i thjeshtë, ai zgjodhi këtë ekip për të luajtur me Messin, por nuk ka asnjë marrëdhënie dhe raport mes tij dhe ‘pleshtit’.

 

Djorkaeff, Lizarazu dhe Zidane

Nuk po ia del të gjejë pozicionin e duhur në fushë dhe duket sikur ka harruar të luajë futboll. Kriza e tij është e dukshme. Kanë kaluar 18 muaj, por asnjë ndryshim për mirë. Mendoj se nuk duhet të hezitojë, duhet të largohet nga Barcelona sa më shpejt“, deklaron Lizarazu. /abcnews.al